RUBIK- COVID-19 është treguar i pamëshirshëm me familje Cara nga Rubiku. Djali dhe dy prindërit kanë humbur betejën me jetën brenda një jave, duke lënë pas dhimbje dhe frikë për familjarët dhe banorët e kësaj qyteze.

Shtatë ditë më parë ka ndërruar jetë në banesë, 83-vjeçari Hamit Cara. Brenda së njëjtës ditë ka vdekur në spitalin e Rrëshenit, i biri Alban Cara 42 vjeç.  Ndërsa nëna e tij, Dushe Cara 75 vjec u përcoll këtë të shtunë në banesën e fundit.

Të afërmit flasin me shqetësim për mënyrën e trajtimit të covid-19 me oksigjen në shtëpi. Dhimitër Koleci hedh dyshime se nuk ka funksionuar pajisja e oksigjenit që ka përdorur kjo familje.

Fqinjët tregojnë se e ndjera Dushe Cara kishte humbur edhe vëllanë pak ditë më parë nga COVID.

“E kam mik, nuk kanë pasur asnjëlloj problemi. Para një muaji i ka vdekur vëllai Dushes, pasi ka vdekur ajo, është sëmurë burri, 83-vjeç, djali 43-vjeç.  Gruaja është trajtuar te ‘Shefqet Ndroqi’, djali në shtëpi. Ku ka më rëndë. Nuk ka pasur sëmundje djali”, tha ai.

Fqinjët e përshkruajnë këtë familje shumë të rregullt, të respektueshme me 2 prindër që kanë sakrifikuar shumë për rritjen e fëmijës. Alban Cara ka lënë pas gruan dhe dy fëmijë të mitur. Kjo tragjedi është një kambanë alarmi, ku sipas ekspertëve në ndryshim nga fillimi i pandemisë, ku vatrat e infektimit ishin në komunitet, tani më ato janë vatra familjare. 

Muaji shkurt ka regjistruar numrin më të lartë të të prekurve dhe viktimave. Nga fillimi i pandemisë në Qarkun e Lezhës janë regjistruar 5 115 raste, 4 257 të shëruar dhe 83 viktima. Vetëm gjatë ditës së djeshme, 21 persona humbën jetën, e ndërsa rezultuan pozitiv me COVID 780 raste të reja.