KOSOVË - Një aksident me makinë i mori jetën në mënyrë tragjike Fatjon Bunjakut. Futbollisti 22-vjeçar i AF Elbasanit ndërroi jetë sot pas mesnate, ndërsa ishte duke udhëtuar në aksin Prishtinë - Mitrovicë.

Bunjaku, i cili së fundmi ishte pjesë e AF Elbasanit në Shqipëri, gjatë karrierës së tij kishte luajtur për disa skuadra të njohura në Kosovë, ndërsa kishte qenë edhe pjesë e përfaqësueses U-21 të Kosovës, ku konsiderohej një prej futbollistëve me perspektivë.

"Ka ndërruar jetë tragjikisht Fatjon Fatmir Bunjaku. Të nderuar bashkëvendas, ju njoftojmë që mbrëmë në një aksident tragjik ka ndërruar jetë Fatjon Fatmir Bunjaku. Për ditën dhe orën e varrimit do t'ju njoftojmë me kohë. Në emër të të gjithë banorëve të fshatit ju shprehim ngushëllime familjes Bunjaku", thuhet në njoftim.

Në një reagim në kanalet e komunikimit, AF Elbasani shpreh ngushëllimet për familjen dhe miqtë, duke thënë se klubi humbi më shumë se një lojtar.

'Sot, familja e madhe e klubit tonë humbi jo vetëm një lojtar, por një njeri që mbajti me krenari ngjyrat e klubit dhe la kontributin e tij në historinë tonë. Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Bunjaku, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe ta duan Fatjonin", shkruan AF Elbasani.

Reagime të shumta ka pasur nga futbollistët dhe drejtuesit e klubeve, ndërsa kreu i FSHF-së, Armand Duka i ka shprehur ngushëllimet familjes. Edhe Federata e Kosovës në Futboll është shprehu zemërthyer për humbjen e Bunjakut.

KARRIERA - Veç AF Elbasanit, Bunjaku kishte qenë pjesë edhe e Malishevës, Lirisë, Gjilanit, Trepçës, FC Phoenix dhe Zmaj Makarska (Kroaci).

Rrugëtimi i tij në futbollin profesionist nisi te Trepça, klub ku u formua dhe bëri hapat e parë në futbollin e të rriturve. Më pas provoi një aventurë në Kroaci te Zmaj Makarska, para se të rikthehej sërish te skuadra mitrovicase.

Pas periudhës në Trepçë, Bunjaku veshi fanellën e Phoenixit, për të vazhduar më pas karrierën te Liria e Prizrenit. Më pas ai iu bashkua Gjilanit, ndërsa vetëm pak muaj më vonë transferohej te Malisheva. Paraqitjet e mira në Superligën e Kosovës bënë që në verën e vitit 2025 të transferohej te AF Elbasani në elitën e futbollit shqiptar ku sezonin e fundit luajti 32 ndeshje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:46
'I pikëlluar, ishte vetëm 22 vjeç', Armand Duka: Fatjon Bunjaku e kishte të ardhmen përpara

1780822018_fatjonbunjaku.jpg

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të futbollistit 22-vjeçar të AF Elbasanit, Fatjon Bunjaku.

"Me pikëllim të thellë mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të Fatjon Bunjakut. Kjo është një tragjedi e rëndë dhe një humbje e madhe, pasi bëhet fjalë për një djalë të ri, vetëm 22 vjeç, me një të ardhme të tërë përpara.

Fatjoni do të kujtohet për talentin, përkushtimin dhe pasionin e tij për futbollin, si dhe për respektin që gëzonte tek të gjithë ata që e njohën. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Bunjaku, të afërmve, miqve, bashkëlojtarëve dhe klubit të Elbasanit. U prehtë në paqe shpirti i tij dhe qoftë i përjetshëm kujtimi për të", shkruan Duka.

Ora 10:22
Klubi i AF Elbasanit zemërthyer për vdekjen e Fatjon Bunjakut: Do të mbetet pjesë e identitetit tonë

1780820603_fatjonbunjaku.jpg

AF Elbasani ka reaguar me dhimbje pas ndarjes tragjike nga jeta të futbollistit të tyre, Fatjon Bunjaku. Shqiptari nga Kosova u aksidentua në aksin Prishtinë - Mitrovicë. Ai ishte vetëm 22 vjeç.

"Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të lojtarit tonë, Fatjon Bunjaku.

Sot, familja e madhe e klubit tonë humbi jo vetëm një lojtar, por një njeri që mbajti me krenari ngjyrat e klubit dhe la kontributin e tij në historinë tonë.

Përkushtimi dhe pasioni i tij për futbollin do të mbeten gjithmonë pjesë e identitetit tonë.

Në këto momente të vështira, mendimet dhe lutjet tona janë me familjen Bunjaku, miqtë dhe të gjithë ata që patën fatin ta njohin dhe ta duan Fatjonin.

AF Elbasani shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Bunjaku dhe për të gjithë komunitetin sportiv që sot humbi një nga njerëzit e tij. Fatjoni nuk do të harrohet", shkruan AF Elbasani.

Ora 10:14
'Do takohemi së shpejt në arenën evropiane', fjalët e fundit të Fatjon Bunjakut! Futbollisti i AF Elbasanit ndërroi jetë në aksident

1780820125_fatjonbunjaku.JPG

Ëndrrat dhe planet ishin të mëdha, por një aksident tragjik i mori jetën në moshën 22-vjeçare futbollistit të AF Elbasanit, Fatjon Bunjaku. I kualifikuar me verdheblutë për në turnetë evropianë, Bunjaku në reagimin e fundit për tifozët e AF Elbasanit shprehej se do të takoheshin së shpejti për aktivitetet e verës.

"Faleminderit për këtë super mbështetje tifozat verdheblu. Do takohemi së shpejti edhe në arenën europiane”, shkruante Bunjaku në postimin e fundit.