ITALI - Një tragjedi ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Porcari të Italisë, komunë e zonës Piana di Lucca. Për arsye që ende nuk janë sqaruar plotësisht, katër anëtarë të një familje shqiptare me origjinë nga Peqini, babai, nëna dhe dy fëmijët, kanë humbur jetën për shkak të një rrjedhjeje monoksidi karboni, e cila me shumë gjasa është shkaktuar nga një defekt i kaldajës në banesën e tyre në rrugën Galgani.
Ka shpëtuar, por ndodhet në gjendje kritike, një person i pestë: bëhet fjalë për vëllain e kryefamiljarit, i cili kishte mbërritur në vendngjarje pasi familjarët nuk po i përgjigjeshin telefonit. Viktimat janë katër persona me origjinë shqiptare: babai Arti Kola ishte 48 vjeç, nëna Jonida Kola 43 vjeçe, djali Hajdar 22 vjeç dhe vajza Xhesika 15 vjeçe. Edhe karabinierët, të cilët mbërritën në vend për të dhënë ndihmën e parë, u intoksikuan lehtë, por nuk janë në rrezik për jetën.
Tragjedia ndodhi rreth orëve të darkës: vëllai i kryefamiljarit dhe karabinerët, në momentin që hynë në shtëpi, gjetën tryezën të shtruar. Alarmin e dha pikërisht vëllai i kryefamiljarit, i cili njoftoi karabinierët: sapo mbërritën në banesën trekatëshe, ai dhe efektivët trokitën disa herë, pa marrë asnjë përgjigje.
Në atë moment ata e thyen derën dhe, sapo hynë brenda, u përballën me një skenë dramatike, me katër trupa të pajetë të shtrirë në tokë.
Xhaxhai i dy fëmijëve të mitur, gjithashtu për shkak të monoksidit të karbonit, humbi ndjenjat para syve të karabinierëve, të cilët arritën të dilnin nga shtëpia përpara se të pësonin të njëjtin fat dhe të jepnin alarmin. Ai u dërgua në spitalin e Cisanello-s.
Në vendngjarje mbërriti edhe kryetari i bashkisë së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili shprehu tronditje dhe keqardhje për një tragjedi që godet të gjithë komunitetin e këtij qyteti të vogël, vetëm pak kilometra larg Lucca-s.
Karabinierët, në orët në vijim, do të analizojnë disa të dhëna të sakta. Së bashku me zjarrfikësit, ata do të duhet të kuptojnë nëse kaldaja ishte instaluar siç duhet dhe nëse i ishte nënshtruar kontrolleve të parashikuara nga ligji.
Banesa ku ndodhi tragjedia është pronë e Arti Kolës, i cili, sipas disa dëshmitarëve, e kishte blerë rreth 3 vite më parë, por vetëm kohët e fundit familja kishte filluar të jetonte aty. Shtëpia thuhet se ishte restauruar pjesërisht nga vetë ai, piktor me profesion, ndoshta së bashku me disa miq. Ndërkohë djali i tij, vetëm 22-vjeçar punonte si elektriçist.
Dera e drunjtë e shtëpisë në Gryksh të Peqinit së familjes prej 4 anëtarësh që humbi jetën tragjikisht në Itali për shkak të helmimit nga gazi, qëndron e mbyllur, siç ata e kanë lënë para se të largoheshin. Ngjyra e saj e zbehtë, e vjetëruar nga koha dhe vende-vende e dalë boje, thyhet vetëm nga një mbishkrim: “Dari Kola.”
Është emri i djalit të familjes Kola, Hajdarit 22-vjeçar, i cili punonte elektricist. Dari, duket se ashtu siç bëjnë shpesh fëmijët gjatë lojërave të tyre, ka shkruar emrin e vet mbi derën kryesore.
Një mbishkrim që tashmë përkon me një dhimbje të paimagjinueshme, një tragjedi që me kohën, do të kthehet në një kujtim të trishtë.
Hajdari ishte "një djalë shumë i ëmbël dhe punëtor i palodhur. Flisnim shpesh dhe ai nuk kishte asnjë qëllim tjetër përveçse të ndihmonte familjen dhe prindërit e tij", është shprehur kushëriri i tij, Durimi për Corriere della Sera.
I riu, i cili kishte studiuar hidraulik në një shkollë të mesme në Lucca, punonte për një kompani lokale. "Asnjëherë vonë, kurrë një justifikim. Një djalë punëtor nga një epokë tjetër", tha një koleg.
Banorët e fshatit e kanë përshkruar ngjarjen si “tragjedia më e madhe që na ka ndodhur”.
Banesa në zonën e Luccas në Itali, ku ndodhi tragjedia është pronë e Arti Kolës, i cili, sipas disa dëshmitarëve, e kishte blerë rreth 3 vite më parë, por vetëm kohët e fundit familja kishte filluar të jetonte aty. Shtëpia thuhet se ishte restauruar pjesërisht nga vetë ai, piktor me profesion, ndoshta së bashku me disa miq.
Report Tv ka shkuar në shtëpinë e familjes Kola në fshatin Gryksh të Peqinit. Dera e shtëpisë është gjetur e mbyllur ndërsa të afërmit e tyre ishin të tronditur për humbjen e thellë.
Kushëriri i Arti Kolës 48 vjeç, tregon se lajmin e trishtë e dëgjuan nga televizori ndërsa tregon se i vëllai i 48-vjeçarit, i kishte telefonuar dhe askush prej familjes nuk e hapte telefonin. Më pas ai kishte njoftuar karabinierët dhe kur kishin hyrë në shtëpi, i gjetën të vdekur.
“Kanë qenë familje e mrekullueshme. Zoti i prehtë të paqe. E morëm vesh nga televizori. I vëllai shkon i binte telefonin dhe nuk e hapnin. Ka shkuar me policinë dhe i kanë gjetur te vdekur. Akoma nuk na besohet. Tezes i kanë thënë vetëm për djalin, për 3 të tjerët nuk i kanë treguar. Tragjedia më e madhe që na ka ndodhur”, thanë ndër të tjera familjarët për Report Tv.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ka reaguar pas tragjedisë që i mori jetën katër anëtarëve të familjes shqiptare Kola në Itali.
Përmes një mesazhi, Balla e cilësoi ngjarjen si thellësisht tronditëse dhe shprehu ngushëllimet për humbjen e rëndë. “Shumë, shumë i trishtë lajmi i tragjedisë së familjes shqiptare Kola, nga Grykshi i Peqinit, të cilët jetonin prej vitesh në Porcari, Lucchesia, Itali. U prehshin në paqe”, shkroi ai.

Foto e banesës së familjes Kola
Një tragjedi e rëndë ka tronditur Italinë dhe Shqipërinë, ku në zonën e Luccas, katër anëtarë të një familje shqiptare humbën jetën për shkak të rrjedhjes së gazit nga kaldaja.
Mediat italiane shkruajnë se kjo ngjarje është e njëjtë me atë të 34-viteve më parë. Më 28 shkurt 1992, katër persona, një familje e tërë, vdiqën si pasojë e si pasojë e monoksidit të karbonit të çliruar nga një defekt i kaldajës brenda banesës.
Viktimë mbetën Raffaello Malanca, një shofer bashkie 46-vjeç; gruaja e tij, Piera Calistri, shtëpiake 45-vjeça; dhe vajzat Ilaria dhe Greta, 17 dhe 14 vjeç.
Çfarë ndodhi
Trupat e tyre të pajetë u zbuluan nga i dashuri i vajzës së madhe. Teksa shkoi në shtëpi për drekë, ai nuk gjeti askënd që t'i hapte derën dhe njoftoi zjarrfikësit. Kur zjarrfikësit hynë brenda gjetën nënën dhe vajzat ende në shtretërit e tyre, ndërsa babai ishte shtrirë në dyshemenë e banjës.
Disa ditë para kësaj tragjedie, të gjithë ishin ankuar për të përziera dhe lodhje, Giuseppe Malanca (babai i 46-vjeçarit) , i cili ishte ndjerë keq dhe ishte shtruar në spital për një embolizëm pulmonar, duke i shpëtuar kështu tragjedisë.
Foto nga banesa ku ndërruan jetë 4 anëtarët e familjes Kola
"Njerëz të ndershëm dhe të mirë. Njerëz që punonin e ndihmonin të tjerët. Një rredhje gazi si pasojë e kaldajës me defekt shuajti një familje"-kështu shprehet opinioni publik për familjen Kola.
Arti Kola, 48 vjeç, i lindur në Shqipëri, mbërriti në Itali nga Greqia rreth dhjetë vjet më parë. Më pas mori me vete gruan Jonidën, 48 vjeçe, djalin Hajdarin, 22 vjeç, dhe vajzën Xhesikën, 15 vjeçe.
vajza, më e vogla e familjes, shkruante poezi. Poezi që "këtë mëngjes", shpjegon Gioia Giuliani, drejtoreshë e shkollës së mesme Camigliano (Lucca), "po i mbledhin shoqet e saj të klasës. Jessica, siç e thërrisnim ne, ishte një vajzë shumë e ëmbël që po ndiqte shkollën me pasion dhe përkushtim".
Ajo shkruante, siç ndoshta bëjnë shumë adoleshentë ende, dhe kishte një ëndërr. "Ajo donte të bëhej parukiere, si kushërira e saj që jeton në Padova", thotë tezja e saj Mira, mes lotësh.
Hajdari ishte "një djalë shumë i ëmbël dhe punëtor i palodhur. Flisnim shpesh dhe ai nuk kishte asnjë qëllim tjetër përveçse të ndihmonte familjen dhe prindërit e tij", thotë kushëriri i tij Durimi.
I riu, i cili kishte studiuar hidraulik në një shkollë të mesme në Lucca, punonte si elektricist për një kompani lokale. "Asnjëherë vonë, kurrë një justifikim. Një djalë punëtor nga një epokë tjetër", thotë një koleg.
Arti punonte si piktor. "Ata kishin mbërritur në fshatin Rughi, ku jetonin, disa muaj më parë. Përpara kësaj, ata jetonin në një zonë tjetër të Porcarit", shpjegon një fqinj.
"Ata e kishin blerë shtëpinë tre vjet më parë dhe po e rinovonin ngadalë: ishte pothuajse gati. Arti ishte një njeri i mirë që kujdesej për të tjerët."
Jonida ishte një shtëpiake që ia kushtoi jetën familjes së saj. "Ajo vinte për të blerë bukë çdo ditë dhe ishte një person shumë i sjellshëm: kurrë nuk bënte fjalë, gjithmonë buzëqeshte", thotë pronarja e dyqanit./Corriere della Sera
Ernest Çela, fqinji dhe njëkohësisht bashkëatdhtetar i familjes Kola që ndërruan jetë mbrëmjen e djeshme pasi u helmuan nga gazi në banesë ka thënë për mediat italiane se kur hyri në banesën e tyre së bashku me oficerët e policisë dhe vëllain e kryefamiljarit Artan Kola, i gjetën katër viktimat të shtrirë në tokë.
“Mbrëmjen rreth orës 21:30 erdhi patrulla e karabinierëve bashkë me xhaxhain e djalit që ka ndërruar jetë. Menjëherë hymë në banesë dhe u ngjitëm në katin e dytë, ku pashë katër trupat të shtrirë pa ndjenja në tokë. Në atë moment shkova menjëherë të kontrolloja nëse kishin akoma puls dhe deri në atë moment kishin ende rrahje zemre”, tregon Ernest Çela.
Më tej ai tregon se pak çaste më vonë vëllai i viktimës, humbi ndjenjat, teksa pohon se edhe ai vetë filloi që t'i merreshin mendtë.
“Pastaj, në një moment, xhaxhai i djalit - ai që tani është i shtruar në spitalin e Cisanellos në gjendje të rëndë - humbi ndjenjat. Më pas edhe mua filluan të merreshin mendtë. Më pas bashkë me babanë tim dhe dy karabinierët kuptuam se në ajër kishte diçka, një gaz ose diçka e ngjashme.
Kështu që dolëm të gjithë menjëherë jashtë nga banesa. Pasi dolëm, e kuptuam që në ambient kishte monoksid karboni. Zjarrfikësit erdhën pas pak kohe, nuk di të them nëse pati vonesë apo jo. Në vendngjarje ishte edhe një ambulancë. Pasi dolëm jashtë, na dhanë ndihmën e parë”, thotë i riu.
Teksa u pyet se përse ndihma e shpejtë nuk u ngjit në banesë i riu tha se, nuk iu lejua të hynin.
“Kur hapën dritaren, doli edhe një tym i bardhë. Por deri në momentin që unë isha lart, ata kishin puls”, përfundon ai.

Foto: Arti dhe Jonida Kola dhe dy fëmijët
Këta janë katër anëtarët e familjes shqiptare që ndërruan jetë si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit mbrëmjen e djeshme në Itali.
Foto e viktimave Arti Kola, 48 vjeç, Jonida Kola, 43 vjeçe, djali i tyre, Hajdar, 22 vjeç dhe vajza, Xhesika, më e vogla e familjes, 15 vjeçe u publikua nga mediat italiane.
Paraprakisht dyshohet se u shkaktua nga një defekt i kaldajës.
Kryetari i komunës së Porcarit në Itali, Leonardo Fornaciari ka bërë publik emrat e 4 anëtarëve të familjes shqiptare me origjinë nga Peqini, të cilët humbën jetën tragjikisht si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit.
Viktimat janë Arti Kola, Jonida Kola dhe dy fëmijët Hajdari 22 vjeç dhe Xhesika 15 vjeçe.
“Jemi të gjithë të mërzitur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje tragjike që më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, madje edhe atë që ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë, qëndron i bashkuar rreth të afërmve dhe miqve në një përqafim ideal për këtë zi të rëndë që ka prekur Porcarin. U prehshin në paqe”, shkruan Fornaciari.

Komente









Tragjedi è paprecedente, zoti tju jap force familjareve te tyre ta perballojne kete tragjedi , u prehshin ne paqe !
PërgjigjuLlahtar,te iki nje familje e tere. Lus Zotin te shpetoje vellai i z.Arti Kola
PërgjigjuNgushéllime
Përgjigju