Një ngjarje tragjike ka ndodhur në zonën kufitare të Thesprotisë, ku një 20-vjeçar nga Kili ka humbur jetën, ndërsa shoku i tij 22-vjeçar është transportuar në spital.
Dy të rinjtë kishin udhëtuar nga Kili drejt Shqipërisë dhe më pas kishin tentuar të kalonin ilegalisht kufirin drejt Greqisë, duke ndjekur një nga shtigjet malore të zonës.
Ecja e gjatë dhe temperaturat e larta dyshohet se kanë rënduar gjendjen e tyre shëndetësore. Pasi kishin arritur pranë Sagiadës, 20-vjeçari ka humbur ndjenjat dhe është rrëzuar.
Shoku i tij 22-vjeçar ka arritur të dalë në rrugën kryesore, ku ka ndaluar një kamion dhe i ka kërkuar ndihmë drejtuesit të mjetit. Menjëherë janë njoftuar policia dhe shërbimet e emergjencës, të cilat kanë mbërritur në zonë.
20-vjeçari është transportuar me urgjencë me ambulancë në Spitalin e Filiates, por pavarësisht ndërhyrjes, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.
Sipas vlerësimeve paraprake, dyshohet se i riu ka humbur jetën si pasojë e dehidratimit dhe goditjes nga nxehtësia, pas ekspozimit për një kohë të gjatë ndaj temperaturave të larta.
Edhe 22-vjeçari është dërguar në Spitalin e Filiates, ku po merr trajtim mjekësor pasi ka shfaqur shenja lodhjeje dhe dehidratimi.
Ngjarja ka ndodhur në zonën pranë kufirit shqiptaro-grek, ndërsa autoritetet po vijojnë procedurat për zbardhjen e plotë të rrethanave.









Komente
Komento