Dy aksidente të tjera me pasojë vdekjen janë regjistruar ditën e sotme. Një 13-vjeçar, i cili po lëvizte me monopatinë, u përplas nga një automjet tip “Audi” në rrugën që lidh Fishtën me aksin Lezhë-Shkodër. Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa “Audi” përfundoi në kanal.

Fatkeqësisht, i mituri nuk u mbijetoi plagëve. Drejtuesi i “Audi”-t udhëtonte nga Elbasani në drejtim të Fishtës, së bashku me bashkëshorten dhe fëmijën e mitur. Asnjëri prej tyre nuk ka pësuar lëndime, ndërsa shoferi Ervis Kume është shoqëruar në polici.

"Informacion paraprak-Rreth orës 20:10, në aksin e vjetër rrugor Blinisht–Fishtë, në fshatin Fishtë, automjeti me drejtues shtetasin E. K., rreth 33 vjeç, ka aksidentuar një të mitur, rreth 13 vjeç, i cili lëvizte me monopatinë. Si pasojë e përplasjes, i mituri ka ndërruar jetë.

Shtetasi E. K. është shoqëruar në Komisariat për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave të aksidentit", informoi policia. 

Ndërkohë, në aksin Borizanë-Thumanë, një makinë doli nga rruga dhe përfundoi në kanal. Si pasojë e aksidentit, humbi jetën drejtuesi 62-vjeçar, Vath Leka.

34 aksidente më shumë u regjistruan në korrik 2026 krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025. Nga aksidentet, 235 persona mbetën të vrarë ose të plagosur.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:51
Aksident me vdekje në aksin Fushë Krujë-Borizanë, makina del nga rruga dhe përfundon në kanal! Humb jetën drejtuesi (EMRI)

1787845110_borizane.jpg

Një aksident automobilistik i ka marrë jetën një 62-vjeçari në aksin rrugor Fushë Krujë-Borizanë.

Burime për Report Tv bëjnë të ditur se automjeti i drejtuar nga 62-vjeçari Vath Leka, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me një bordurë, duke rënë në pas në kanal.

Si pasojë e përplasjes humbi jetën drejtuesi i mjetit, 62-vjeçari Vath Leka, ndërkohë që Policia dhe ekspertët ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Njoftimi i Policisë:

Krujë/Informacion paraprak-Rreth orës 16:40, në aksin rrugor “Borizanë-Thumanë”, shtetasi V. L., rreth 62 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, i cili ka dalë nga rruga.

Për pasojë, drejtuesi i automjetit ka ndërruar jetë në spital.

Vijon puna nga grupi hetimor,  për sqarimin e plotë të rrethanave  dhe shkakut të aksidentit.