Ylli Zalla, i shumëkërkuari I rrezikshëm, që u arrestua 17 gushtin e kaluar vetëm pak metra larg shtëpisë së tij në Zallë të Fushë-Krujës u mbajt nën vëzhgim nga forcat e policisë teksa ‘patrullonte’ rrugët me kallashnikov në dorë.

Report Tv ka siguruar pamjet e bëra me dronin e teknologjisë së lartë "Bayraktar". I shumëkërkuari Zalla shfaqet duke "patrulluar" në zonë me një kallashnikov në krah, armë që iu sekuestrua bashkë me 3 karikatorë. Efektivët e policisë së kryeqytetit survejuan lëvizjet e tij deri në prangosjen e tij me ndihmën e forcave RENEA.

Zalla ishte shpallur në kërkim prej nëntorit 2025 si i dyshuar se kishte lidhje me atentatin e Rinasit të nëntorit 2025 ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani pas zbulimit të arsenalit të armëve në banesën e tij, por ekspertiza e kryer më vonë rezultoi se nuk kishte lidhje me ngjarjen. Më 20 shkurt të këtij viti, Zallës iu gjet një tjetër arsenal armësh me të cilat dyshohet se furnizonte grupet kriminale. Edhe në një operacion në mars, në oborrin e banesës së tij u gjet një sasi municioni luftarak dhe 14 fitila zjarrpërcjellës. Më 23 qershor, kur pati një tjetër tentativë për arrestimin e tij, iu gjetën pistoletë, fishekë, një celular dhe një detektor frekuencash.

12 vjet më parë Zalla është arrestuar për po të njëjtën vepër penale, prodhim të bombave artizanale, dhe i përfshirë edhe në prodhim dhe shitje droge. Në atë kohë dyshohej për lidhje me grupin ISIS për rekrutime të shqiptarëve për xhihad.