Një ngjarje tragjike ka ndodhur ditën e sotme në një qytet të Italisë jugore, Foggia, ku një helikopter i tipit A109, me 7 persona në bord është rrëzuar.
Mediat italiane njoftuan se asnjë nga personat në bord nuk ka mbijetuar, mes viktimave janë edhe dy fëmijë. Sipas autoriteteve italiane dyshohet se viktimat janë turistë sllovenë.
Kontakti i fundit i helikopterit me radar ka qenë në zonën midis Apricena dhe San Severo në Gargano të poshtme, një zonë ku një stuhi ishte në zhvillim e sipër. Helikopteri, në shërbim në linjën Foggia-Vieste-Ishujt Tremiti, i përkiste kompanisë së transportit ajror Alidaunia.
Helikopteri ishte nisur në orën 9:20 me orën lokale nga Ishujt Tremiti dhe më pas kishte humbur gjurmët. Mbeturinat u gjetën në një zonë rurale të Castelpagano di Apricena.