Trajtimi i ri për kancerin metastatik të gjirit, Sallaku: Ibrance, medikament i rëndësishëm

/ATSH/- Prej dy muajsh në vendin tonë ka mbërritur një terapi e re për të trajtuar kancerin e gjirit. Kjo terapi aplikohet vetëm te pacientët që e kanë sëmundjen në stad të avancuar, kurë që arrin të zgjasë jetën e pacientes deri në 20 muaj.
Sipas specialistëve, për momentin ky medikament nuk ofrohet në shërbimin e onkologjisë në qendrën spitalore universitare "Nënë Tereza", por vetëm në disa farmaci të veçanta.
Kryetari i Shërbimit të Onkologjisë në Spitalin Nënë Tereza, Agim Sallaku shprehet për ATSH-në se "Ibrance është një medikament që është i rëndësishëm për pacientët metastatikë, çka do të thotë në fazat e avancuara të zbulimit të kancerit.
Më konkretisht, ai shpjegon se nëse një i sëmurë ka shfaqur metastaza, mund të gjenden disa receptorë të veçantë, për t'i dhënë pacientit terapi specifke. "Në fillim përdorim një terapi që quhet terapi hormonale. Nëse ato dështojnë fillojmë i japim këtë medikament bashkë me një nga preparatet e linjës së parë hormonale dhe të dy bashkë kanë dhënë rezultate që i sëmuri mund të shtyjë jetën edhe 20 muaj të tjerë. Pra duhet kuptuar dhe duhet bërë diferenca që ky nuk është preparati çudibërës që e shëron në mënyrë definitive pacientin, por është një preparat që ka dhënë mbijetesë 20 muaj përtej. Pra këto 20 muaj ai do të jetojë me kualitet jete dhe këta muaj në përgjithësi për këta pacientë që janë në stad të avancuar, nuk janë pak", nënvizon Sallaku.
Pyetjes nëse ky preparat ofrohet në qendrën spitalore "Nënë Tereza", ai shprehet se jo. "Nuk ofrohet në QSUT, është vetëm i regjistruar te ne, sepse procedurat e regjistrimit në Europë janë të ndryshme nga Amerika. Në Amerikë po ta aprovojë FDA-ja menjëherë futen, ndërsa në Europë është struktura europiane dhe që është e veçantë nga FDA-ja. Procedurat burokratike zgjasin shumë. Legjislacioni ynë ka qenë i përputhshëm me atë amerikan dhe është gjetur legjislacioni më i mirë për ta regjistruar dhe futur në Shqipëri", tha ai.
Më tej, ai sqaron se ky mediakament nuk gjendet në çdo farmaci, por nëpërmjet grosistit të Fajzerit. Ndonëse informacioni është ende i pakët, sikurse shprehet dr. Sallaku, stafi mjekësor dhe media, duhet të përhapë lajmin në lidhje me këtë preparat. Momentalisht pacientët nuk kanë akoma dijeni për këtë preparat. 

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai