Një tram elektrik ka dalë nga shinat në Milano duke u përplasur me një pallat. 1 person ka vdekur dhe të paktën 40 të tjerë janë plagosur, disa prej tyre në gjendje të rëndë .

Trami ishte nisur nga stacioni hekurudhor i Porta Genova-s dhe doli nga shinat në zonën e Porta Venezia-s.  Në momentin e frenimit, trami shembi një semafor, u përplas në cepin e një pallati dhe theu xhamat e një restoranti aty ngjitur.

“Mu duk sikur ra tërmet. Isha i ulur dhe përfundova përtokë, bashkë me pasagjerë të tjerë. Ishte e tmerrshme. Për fat, kam vrarë vetëm gjurin por një burrë afër meje kishte gjak në kokë” tha një prej pasagjerëve.

Mediat italiane raportojnë se shkaku i aksidentit dyshohet të ketë lidhje me shpejtësinë. Mediat raportojnë se çështja i është besuar prokurores Elisa Calanducci dhe hetimet do të fokusohen tek dy akuza: 'vrasje nga pakujdesia' dhe 'plagosje nga pakujdesia'. 

Trami elektrik i përfshirë në aksident ishte i një modeli të ri Tramlink dhe ishte vënë në qarkullim prej pak javësh në Milano. Ai është i gjatë 25 metra dhe përbëhet nga tre vagonë me 66 ulëse gjithsej.

Lajmi në përditësim