Të shtunën (nesër) në orën 20:45 luhet Inter - Juventus, sfida e raundit të 25-të në Serie A. Derbi i Italisë do zhvillohet në 'Giuseppe Meazza', ndërsa për mediet foli trajneri i zikaltërve, Cristian Chivu. Rumuni tregoi se Hakan Calhanoglu dhe Nicolo Barella janë të gatshëm për këtë ndeshje.

Fillimisht Chivu tha se ai nuk donte të dilte para mediave këtë të premte, teksa donte të zëvendësohej nga kapiteni Lautaro Martinez, por kërkesa e tij nuk u miratua. Një gjë e tillë u kërkua nga trajneri, pasi edhe Luciano Spalletti i Juves nuk foli për mediat, duke lënë kapitenin Manuel Locatelli në vend të tij.

"I thashë Gigit (zyrtarit të shtypit) të dërgonte Lautaro Martinezin, por ata nuk donin, ata më donin mua. Ne do të kishim ndjekur vendimin e Juves. Kur ka kaq shumë ndeshje në një kohë kaq të shkurtër është e vështirë për një trajner të flasë sepse nuk ndryshon shumë nga pikëpamja jonë. Ishte një vendim me të cilin do të isha dakord me kënaqësi, të mos vija të flisja", tha ai fillimisht.

Më pas trajneri konfirmoi se Barella dhe Calhanoglu janë stërvitur me ekipin.

"Ata kanë qenë në stërvitje që nga e hëna, sot është e premte. Ata nuk kanë pasur asnjë problem dhe janë të disponueshëm", vijoi Chivu.

Trajneri foli edhe për humbjen e ndeshjes së parë 4-3 nga Juventusi në Torino.

"Tek Interi nuk ke kurrë kohë të mendosh për asgjë. Në atë pikë, na u desh të shkonim në Amsterdam, duhej të merrnim rezultate dhe duhet ta marrim ndeshje pas ndeshjeje, duke zgjedhur lojtarët e duhur. Kështu ka qenë gjithmonë, djemtë e kuptuan gjithçka menjëherë dhe ne jemi përmirësuar që nga ajo ndeshje", tha ai.

I pyetur për efektin Spalletti te Juvja, Chivu tha se duket dora e trajnerit te bardhezinjtë.

"Mendoj se është përmirësuar shumë. Ai po i bën ekipet e tij të luajnë mirë, ka një identitet dhe ide. Është një trajner i mirë që ka shumë për të thënë. Spalletti është një model për trajnerët e rinj", tha Chivu.

Interi kryeson renditjen e Serie A me 58 pikë, ndërsa Juventusi me 46 pikë mban vendin e katërt.