TIRANE - E drejta e transferimit të studimeve i jep fund epokës kur zgjedhja e shkollës, ishte një nga ato zgjedhjet që bëhen një herë në jetë, një herë e përgjithmonë. Gjatë gjithë ciklit të arsimit të tij, studenti mund të riorientohet, të profilizohet për t’u ndjerë i realizuar dhe për të përmirësuar mundësitë e punësimit në tregun e punës. E ndërsa në universitetet publike këtë procedurë mund ta kryejnë vetëm një herë në fillim të vitit, në universitetet private ky transferim i studimeve mund të kryhet edhe në momente të tjera, kjo pasi Karta e Bolonjës e njeh këtë si procedurë.

“Në kuadër të Kartës së Bolonjës, në bazë të ligjit për arsimin e lartë, çdo student ka të drejtë të bëjë transferimin e studimeve, si në institucionet publike dhe private, me dëshirën dhe kërkesën e tij, sipas pritshmëris dhe prioriteteve të tij”, pohojnë burime zyrtare nga Ministria e Arsimit. Por, si mund të kryhet ky transferim i studimeve? Mund të ndodhë që një student ka zgjedhur një degë, ka mbaruar vitin e parë dhe sheh se nuk është dega që ai do, nuk plotëson standardet që ai kërkon, nuk plotëson kërkesat e tregut të punës dhe kupton se nesër kur të marrë diplomën e ka të vështirë të punësohet, nuk i krijohen mundësitë që të realizohet, sërish dhe ai ka të drejtën që të transferojë studimet në një institucion apo degë tjetër.

Në këtë rast janë të avantazhuar privatët, sepse janë më fleksibël e kanë më të thjeshtë të bëjnë vlerësueshmërinë e studentëve, sesa publiku pasi në të është më e vështirë të kalosh nga një degë në tjetrën, pasi të është dhënë e drejta herën e parë. Kështu studenti, mbi bazën e një detyrimi dhe mbi bazën e krediteve që ka marrë, mund të bëjë një lëvizje në vitin e dytë dhe t’ia ofrojë këto kredite një programi të ngjashëm, në mënyrë që mos të humbasë vitin e parë dhe të kalojë nga një institucion publik në një institucion privat apo anasjelltas. Por, për universitetet publike ky lloj transferimi është i kufizuar pasi ofrohet vetëm për 300 studentë dhe vetëm në fillim të çdo viti akademik. Ndërkohë që studentët duhet të plotësojnë edhe një sërë kriteresh.

Kështu, studenti duhet të ketë grumbulluar nga Matura Shtetërore sasi pikësh më të larta se pragu minimal i pikëve që është arritur në programin e studimit të kërkuar në vitin përkatës. Kurse kusht tjetër i rëndësishëm është edhe se studenti duhet të ketë fituar jo më pak se 30 kredite në programin përkatës të studimit. Ndërkohë sa i përket universiteteve private këto të fundit kërkojnë listën e notave kaluese të studentit. Po kështu dokument i nevojshëm është edhe lista e programit përkatës të çdo lënde që studenti ka ndjekur në universitetin prej nga do të transferohet. Më pas është Komisioni i Ekuivalentimit në të gjitha universitet private, i cili kryen shqyrtimin e dosjes dhe miraton ose jo transferimin e studimeve, duke iu përmbajtur sistemit të krediteve dhe përputhshmërisë së programeve të lëndëve.
 
(Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com 12 mars 2014)