Tiranë, 7 Janar / ATSH - "Transhendenca, si trup i mendjes", është ekspozita më e fundit mbi pikturën e Blerta Xhomos, e cila në kujdesin e kuratorit Vladimir Myrtezai , do të çelet në 8 janar në ambjentet e Galerisë FAB (e ndërtuar në ambientet e Fakultetit të Arteve të Bukura pranë Universitetit të Arteve).
"Propozimi për të marrë në konsideratë interpretuese një ekspozitë të Blerta Xhomos, qe njëfarë rikthimi nëpër stacionet e dashura të dikurshme, kur mbi kokat tona, piktura qe një brerore mbrojtëse dhe bekuese për racën e të përkushtuarve pas telajos, ose si një atdhe, të cilit i përkisnim e as që përfytyrohej të ishte ndryshe, domethënë të ndërrohej "kombësia", është përshkrimi që kuratori Vladimir Myrtezai bën mbi ekspozitën e Xhomos.
"Qe një atdhe ku u munduam të themi gjithçka, vijon Myrtezai, në një rrugëtim të vrullshëm mohimesh të shpejta, që pak a shumë i ngjante orvatjes për t'u shfajësuar nga ngushtimi i tkurrur i mundësisë së shprehjes, si mundësi për t'u zbuluar në të drejtën e njeriut të lirë".
Dhe për këtë arsye kishim edhe njëfarë qëndrimi përjashtues në verifikimin e kësaj vlere, për arsyen e thjeshtë: kishim ngut për territore dhe flamuj të rinj, që t'i vendosnim diku, në një tokë të premtuar, ose diku buzë saj", shtoi ai në esenë që i kushton kësaj ekspozite.
Një qasje e re në kohë, jo për nostalgji, por për interes publik, piktura mund të jetë një shkallare komode për të zbuluar ende territore dhe karaktere pse jo, në një parashikim të rikthyer dhe një rast i tillë është edhe piktura e Xhomos, e cila do të jetë e hapur për t'u gjykuar dhe admiruar nga publiku nga data 8 deri më 16 janar 2015 në ambjentet e Galerisë FAB.
/k.m//a.ke/












