TIRANE - Çështja e pronave mbetet një ndër problemet më të rëndësishme me të cilat vazhdon të përballet Shqipëria. Transparency International organizoi një tryezë në të cilën prezantoi raportin mbi pronën si një e drejtë dhe detyrim kushtetues.

Koordinatorja e projektit Danjela Çollaku insistoi se edhe Bashkimi Evropian e sheh pronën si një problem thelbësor. Sipas saj, deri më tani ekzistojnë 16 ligje dhe 9 institucione që merren me çështjen e pronësisë. Numri i dosjeve të regjistruara pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të pronave shkon në 62 mijë.

"Bashkimi Europian konstaton që çështjet e pronësisë që lidhen me kthimin dhe kompesimin mbeten problemi thelbësor. Transparency International jep këto rekomandime:
1. Përmirësimi i kuadrit ligjor dhe pastrimi i legjislacionit nga mbivendosja e kompetencave, si edhe plotësimi i tij me akte nënligjore.
2. Zbatimi me korrektësi i ligjit, rritja e efiçencës dhe shkallës së transparencës në administratë.
3. Të rritet shkalla e koordinimit midis institucioneve shtetërorë që trajtojnë çështjet e pronësisë.
4. Përfundimi i procesit të kthimit dhe kompesimit të pronave, procesit të legalizimit dhe atij të vlerësimit të titujve të pronësisë brenda afateve ligjore.
5. Përfundimi i regjistrimit fillestar të pasurive të paluajtshme dhe dixhitalizimi i të dhënave.
6. Rritja e efiçencës së sistemit të përmbarimit privat për ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të gjykatave.
7. Nxjerrja e të dhënave të sakta mbi numrin e kërkesave për kthim, kompesim, si edhe e vendimeve gjyqësore mbi çështjet e pronësisë, në mënyrë që të përllogariten kostot e nevojshme për përfundimin e këtyre proceseve.
8. Zvogëlimi i kontakteve të qytetarëve me administratën nëpërmjet krijimit të një sistemi “one stop shop” për regjistrimin dhe krijimin e lehtësirave për të aksesuar dokumentacionin përkatës për pronën” u shpreh Danjela Çollaku, koordinatore e projektit të TIA.

Nga të dhënat e raportit mësohet se Gjykata e Strasburgut ka vendosur që për 18 muaj të mos shqyrtojë asnjë çështje.

(eç/gh/shqiptarja.com)