Një aksion kundër trafikut të armëve nga policia e Sarandës ka çuar në arrestimin e një 31-vjeçari nga Tirana. Kejdi Banaj u kap nga blutë në tunelin e Skërficës teksa udhëtonte me automjetin e tij.
Gjatë kontrolleve të kryera u gjetën 4 pistoleta të tipit "Glock", të cilat dyshohet se do t'ia shiste një grupi kriminal në Sarandë.
Para ndalimit të tij, i riu ishte mbajtur në vëzhgim nga shërbimet e policisë.
Siç shihet edhe nga pamjet lëvizjet e të riut janë monitoruar me dron deri në momentin e hyrjes së tij në tunelin e Skërficës. Pas hyrjes 31-vjeçari rrethohet nga blutë ndërsa këta të fundit dëgjohen të thonë 'Ndal, mos lëviz policia'.
"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, si rezultat i një hetimi me metoda speciale, kryer në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim identifikimin dhe ndalimin e shtetasve, të cilët individualisht ose në grup, përbëjnë rrezik për kryerje të ngjarjeve kriminale dhe për sigurinë e qytetarëve, finalizuan në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë së Sigurisë Publike, Njësia Fier, dhe me shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së, operacionin e koduar "Mekanizmi".
Si rezultat i operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 31 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë kanë mbajtur në vëzhgim automjetin që drejtonte 31-vjeçari dhe në tunelin e Skërficës kanë kryer ndalimin e tij.
Nga kontrollet në automjet u gjetën të fshehura në dysheme, 4 armë zjarri (pistoleta) që dyshohet se janë trafikuar në Shqipëri, në pjesë, dhe janë montuar më pas, me qëllim shitjen një grupi kriminal në Sarandë.
Hetimi vijon me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast", njoftoi sot policia
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente









