Policia e Tiranës ka arrestuar të riun Elson Syla dhe ka shpallur në kërkim Idriz Shahun, pasi kanë tentuar të transportojnë emigrantë në mënyrë të paligjshme kundrejt shpërblimit.

Kjo nuk është hera e parë që Elson Syla vihet në pranga, pasi në vitin 2020 është arrestuar për të njëjtën vepër penale.

Dy të rinjtë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kanë koordinuar vendndodhjet nëpërmjet opsionit “Location” në aplikacionin “Ëhatsapp”, kanë tentuar të transportojnë me mjetet e tyre private, kundrejt shpërblimit monetar, 9 shtetas emigrantë të paligjshëm, nga Tirana drejt qytetit të Kukësit, me qëllim kalimin e tyre drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Në këtë mënyrë është finalizuar operacioni i koduar “RED POINT”.  

Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar dy automjete “Mercedes-Benz” dhe disa aparate celulare.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.