KUKËS- Enkeled Alushaj, 33 vjeç është vënë në prangat e policisë pasi transportonte emigrantë të paligjshëm jashtë vendit. 33-vjeçari u kap me 4 emigrantë, ku i merrte 150 euro për person. Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe një shumë parash.
33-vjeçari u kap në flagrancë, në vendin "Ura e Drinit të Zi", duke transportuar me automjet, kundrejt 150 eurove për person, 4 emigrantë, me qëllim kalimin e kufirit në mënyrë të kundërligjshme.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe një shumë parash, e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.