Trashëgimia e 20 shkurtit

Trashëgimia e 20 shkurtit
Data 20 shkurt ka zënë tashmë vend në kujtesën tonë publike. Gjatë ditëve të 18-20 shkurtit 1991 mstudentët e Universitetit hynë në grevë urie në shenjë proteste ekstreme ndaj bashkëjetesës midis pluralizmit e diktatorit, për ndarje finale e përfundimtare nga simbolet dhe trashëgimia negative e komunizmit. Me studentët u bashkuan shumica qytetare në Tiranë, Durrës, Vlorë, Korçë, Shkodër e Gjirokastër, dhe kudo u rrëzuan shtatoret e diktatorit. Para 20 shkurtit zyrtarisht Shqipëria ishte në demokraci pluraliste, por de facto pak gjëra kishin ndryshuar. Regjimi nxori një ligj për mbrojtjen e shtatoreve të diktatorit, opozita në shkëmbim të shtyrjes së zgjedhjeve e pranoi ofertën dhe bashkëpunimin e regjimit në ikje. Me pak ndryshim midis tyre, dy palët u ndodhën në një anë, studentët në anën tjetër. Bilanci dihet. Diktatori ra, regjimi provokoi përplasje civile, palët me consensus mbyllën universitetet dhe zgjedhjet u kontrolluan nga PPSH, duke shtyrë jo vetëm kalendarikisht, një vit rotacionin e sistemit politik. 8 dhjetori rrëzoi partinë – shtet dhe frikën, 20 shkurti e jetësoi pluralizmin politik dhe riktheu lirinë qytetare,
të humbur rreth 4.5 dekada më parë. Për këto arsye simbolika e 20 shkurtit është e jashtëzakonshme. Sa më madhështore të jetë një datë, aq më shumë politika dhe publiku, sidomos politika e publiku shqiptar, janë të pritur të përfitojnë prej madhështisë. Kështu ka ndodhur me 8 dhjetorin, kështu vijon të ndodhë edhe me 20 shkurtin.
Gjithkush ka të drejtë të reflektojë, është ata që ishin me studentët, edhe ata kundër tyre. Sot shumëkush e kujton 20 shkurtin jo me sytë e mendjen e atyre ditëve, por me sytë e mendjen e sotme. Dhe diferenca është e madhe. Të lexosh median apo të hapësh ekranet televizive sot të krijohet përshtypja se të gjithë, 3.2 milion shqiptarë e bënë grevën e urisë dhe rrëzuan bustin e Hoxhës.
Edhe ata që ishin në qeveri, edhe ata që i shërbyen regjimit, edhe ata që ishin në paradhomat e regjimit, edhe ata që krijuan e drejtuan “Vullnetarët e Enverit”, edhe ata që pas grevës na arrestuan dhe na mbyllën në birucat e degëve të punëve të brendshme, edhe ata që teorizuan prindërit tanë për “tradhtinë e fëmijëve”, edhe ata që për shkak të moshës natyrore ishin diku midis kopshtit, fillores apo gjimnazit. Të gjithë duan të jenë aty. Dhe le të jenë. Koha e bën seleksionimin dhe nxjerr të vërtetat. E kaluara dhe e vërteta nuk blihen me pushtet dhe as para, me historinë të paguar dhe as me një armatë servilësh që i shërbejnë çdo sistemi. 20 shkurti meriton nderim. Secili pjesëmarrës i asaj greve është krenar për atë që bëri, megjithëse historia e tregua mosmirënjohëse gati edhe cinike. Diktatori ra por mentalitetet, sjelljet dhe modelet e tij politike mbetën; vetëm sa u shpërndanë në dhjetëra parti e shoqata, në institucione e media. Diktatori u tërhoq zvarrë, por imituesit e tij kanë 20 vjet që mbajnë peng jetën politike, partitë, vendimmarrjen, votat e vullnetet qytetare, biznesin dhe kanalet e komunikimit publik. Produkti i tyre konkret është një Shqipëri e fundit në OSBE, në KE, nëNATO dhe siç duket, e fundit në BE; e fundit në standardet demokratike dhe shumë larg ëndrrës studentore të viteve 1990-91. Shqipëria politike e vitit 2012 ka sot dhjetëra deputetë e ministra vendimmarrës, ish-nënshkrues të nismës për luftë civile të njohur si “Vullnetarët e Enverit”, por nuk ka asnjë ish të përndjekur direkt politik; ka qindra zyrtarë të lartë që kanë frikë nga e kaluara e tyre, por nuk ka hapur as dosjet dhe as arkivat, dhe me ndihmën e këtyre grupeve po humb kujtesën dhe memorien historike. Shqipëria e sotme me këtë ushqim që ka gatuar në 21 vjet, e ka të pamundur atë që sot bëri Gjermania, - konsensusin politik për një kryetar shteti disident dhe antikomunist, intelektual qytetar dhe krenar për të shkuarën e tij. Ndaj 20 shkurti rrëzoi shtatoren, frikën, simbolet komuniste, - copat e të cilave nuk u hodhën në koshin e historisë, por fatkeqësisht u shpërndanë midis nesh dhe akoma sot vijojnë të mbajnë peng shtetin, shoqërinë.

(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë