I pyetur nga gazetarët nëse do ketë trazira në protestën e opozitës e paralajmëruar në 13 maj, Xhafaj tha se “kjo mbetet për t’u parë”
Gjithashtu ai ka ritheksuar se Policia nuk do të përfshihet në fushatën zgjedhore po vetëm do të garantojë që procesi i votimit do shkojë mirë.
"Zgjedhjet e 18 Qershorit janë absolutisht të garantuara, sepse zgjedhjet në përgjithësi i garanton Kushtetuta dhe ligji. Dhe Policia është në funksion të respektimit dhe garantimit të Kushtetutës e të Ligjit. Dhe Policia vetëm bën detyrën që i ngarkon ligji", u shpreh Xhafaj.
Ndryshimet në Polici, Xhafaj: Të nevojshme
Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ka komentuar për herë të parë ndryshimet e bëra së fundmi në Policinë e Shtetit.
I ndodhur në Shkodër për inaugurimin e godinës së Gjykates së Apelit me ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili, Xhafaj nuk ka hezituar t'u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve. Ai ka mohuar akuzat se ndryshimet kanë prapavijë politike. Sipas tij ato ishin të nevojshme pasi i japin një tjetër ritëm punës së bërë.
“Si mendoni ju, është më mirë që të ndryshojnë drejtuesit, apo të qëndrojnë në të njëjtin vend? Sepse çdo lloj rifreskimi, çdo lloj lëvizjeje, bën mirë për t’i dhënë ritëm të ri punës, ritëm të ri çështjeve e prioriteteve. Në kohë të ndryshme ka prioritete të ndryshme. Dhe natyrisht Kanabisi është një prioritet. Dhe në Shkodër, për hir të së vërtetës, është një prioritet i rëndësishëm për shkak se, në vite, zona të caktuara mund t’i konsideroj edhe si Lazarati me kanabisin. Në vite të tëra, ndërkohë që flitej për Lazaratin, shpeshherë harronim që kishim dhe një Lazarat këtu në Shkodër. Por unë besoj që me punën e bërë në gjithë këto vite, me punën që po bëhet, me ndërgjegjësimin qytetar në radhë të parë, me vullnetin që është duke treguar Qeveria dhe gjithë strukturat e saj, ky fenomen do të vijë drejt shuarjes", tha Xhafaj.
Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)