Është ora 22:13 e së dielës. Autobusi “Greenline”, i linjës Astir-Qendër sapo po kalonte urën e Lanës pranë Pallatit me Shigjeta. Në kryqëzim, nga ana e Unazës, një vajzë 18 vjeçe, me biçikletë, shihet të futet ndërkohë që semafori në anën e saj dyshohet se është me të kuqe. Shoferi i autobusit, pasi sheh të renë në mes të rrugës që nis të lëviz me shpejtësi për të kaluar në anën tjetër, përpiqet të devijojë.

Ngjarja ndodh në pak sekonda, dhe një kamera sigurie tregon momentin e përplasjes. Autobusi përfundoi në anën tjetër të rrugës, duke përplasur edhe 2 makina të tjera të parkuara.

E reja 18 vjeçe raportohet se ka fraktura të shumta, por e ka kaluar rrezikun, ndërsa u lënduan edhe 3 pasagjerë, të cilët po marrin mjekim te Spitali i Traumës. Disa orë pas aksidentit, policia bën me dije se arrestoi shoferin, i cili është në akuzë për shkelje të qarkullimit rrugor.

8 orë pas kësaj ngjarjeje të rëndë, që vetëm fati deshi të ishte pa fatalitet për 18-vjeçaren, një tjetër aksident i rëndë ndodhi në Tiranë. Një grua 49 vjeçe u përplas për vdekje pranë ish-sheshit “Shqiponja”, teksa tentoi të kalonte në anën tjetër të rrugës. Përplasja ishte e fortë dhe 49-vjeçarja ndërroi jetë në vendngjarje. Shoferi 30 vjeç u shoqërua për të sqaruar situatën.

Paraditja regjistroi tjetër aksident me vdekje, kësaj here në fshatin Strum, në Një aksin Roskovec - Berat. Makina me drejtues Jamarbër Torron përplasi Gëzim Xhokën, që po lëvizte me biçikletë, i cili nuk mundi të mbijetojë.

Një tjetër aksident i rëndë ndodhi mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Mbreshtan–Pashalli, ku një mjet tip xhip-kamionçinë me targë "AA 488 EK" ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke rënë nga një lartësi në një përrua. Ngjarja është shënuar në vendin e quajtur “Rezervuari”.

Si pasojë e aksidentit është plagosur drejtuesi i mjetit, shtetasi Kastriot Çuka, 59 vjeç, si edhe tre pasagjerët që udhëtonin me të. Të plagosurit janë nxjerrë nga automjeti me ndihmën e forcave të policisë dhe më pas janë transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat, ku po marrin mjekimin e nevojshëm për shkak të plagëve të marra.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:16
Aksident në aksin Mbreshtan–Pashalli, kamionçina del nga rruga dhe përfundon në përrua, plagosen 4 persona

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Mbreshtan–Pashalli, ku një mjet tip xhip-kamionçinë me targë "AA 488 EK" ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke rënë nga një lartësi në një përrua. Ngjarja është shënuar në vendin e quajtur “Rezervuari”.

Si pasojë e aksidentit është plagosur drejtuesi i mjetit, shtetasi Kastriot Çuka, 59 vjeç, si edhe tre pasagjerët që udhëtonin me të. Të plagosurit janë nxjerrë nga automjeti me ndihmën e forcave të policisë dhe më pas janë transportuar drejt Spitalit Rajonal Berat, ku po marrin mjekimin e nevojshëm për shkak të plagëve të marra.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit. Vihet re se segmenti rrugor ka mungesë ndriçimi, është i dëmtuar pothuajse në të gjithë gjatësinë e tij dhe paraqet kthesa të forta, çka e bën akoma më të rrezikshëm qarkullimin në këtë zonë.

Ora 11:29
Aksident me vdekje në aksin Roskovec- Berat! Makina përplas qytetarin që lëvizte me biçikletë (EMRAT+VIDEO)

Një aksident me vdekje ka ndodhur paraditen e kësaj të hëne në aksin Roskovec- Berat, pranë fshatit Strum.

Një automjet ka përplasur një person i cili po udhëtonte me biçikletë dhe për pasojë ka humbur jetën.

Viktima është identifikuar si Gëzim Xhoka, teksa drejtuesi i automjetit është identifikuar si Jamarbër Torro.

Ky i fundit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.

“Rreth orës 10:00, në aksin rrugor "Fier-Berat", në Strum, automjeti me drejtues shtetasin J. T., është përplasur me biçikletën që drejtohej nga shtetasi G. Xh., 50 vjeç, banues në Strum. Si pasojë e përplasjes ka humbur jetën shtetasi G. Xh.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Ora 08:20
Tiranë/ Makina përplas këmbësoren te ish-sheshi Shqiponja, ndërron jetë

Tiranë - Një aksident me pasojë vdekjen është shënuar mëngjesin e sotëm te ish-sheshi Shqiponja, në kryeqytet.

Raportohet se një automjet ka përplasur për vdekje një grua 49-vjeçare.

Ende nuk dihen rrethanat e ngjarjes, teksa policia ka shoqëruar në Komisariat shoferin 30 vjeçar.

“Më datë 01.12.2025, rreth orës 06:20, tek ish-Sheshi Shqiponja, automjeti me drejtues shtetasin D. M., rreth 30 vjeç, ka përplasur këmbësoren A. H., rreth 49 vjeçe, e cila për pasojë ka humbur jetën. Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme proceduriale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Ora 08:03
Tiranë/ I preu rrugën, momenti kur autobusi merr përpara vajzën që lëvizte me biçikletë! Arrestohet shoferi, 18-vjeçarja dhe 3 pasagjerë në spital (VIDEO)

Ky është momenti kur autobusi “Green Line” i linjës Astir-Qendër merr përpara vajzën që i preu rrugën me biçikletë në Tiranë. Aksidenti ndodhi mbrëmjen e së dielës pranë Pallatit me Shigjeta. 

Sipas policisë, autobusi është përplasur me pas me dy automjete të parkuara. Për pasojë është dëmtuar 18-vjeçarja dhe tre pasagjerë në autobuz, të cilët nën kujdesin e mjekëve në spital. 

Ndërkohë, shoferi i autobusit është vënë në pranga për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. 

"Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin Ç. Sh., 56 vjeç, pasi dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në Rrugën e Kavajës, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e autobuzit që drejtonte dhe është përplasur me një biçikletë ku lëvizte shtetasja G. K., 18 vjeçe, e më pas me dy automjete të parkuara. Si pasojë, është dëmtuar 18-vjeçarja dhe 3 shtetas që ndodheshin në autobuz, të cilët janë në spital nën kujdesin e mjekëve", njofton policia.