“Ne do të propozojmë një rezolutë në emër të PS-së, për t’u distancuar. Kuvendi i Shqipërisë nuk mund të  vazhdojë më, sepse edhe deputetët e tjerë të PD-së që morën fjalën, jo vetëm që nuk u distancuan por e thelluan skandalin e rëndë diplomati”. Kjo deklaratë e kreut të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ndërpreu debatet dje në Kuvend, duke e çuar seancën në votim direkt. Shkak u bënë disa sulme të njëpasnjëshme të kryedemokratit Sali Berisha në drejtim të ambasadorit të Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato. Arsyeja, mbështetja që ambasadori i kishte bërë ligjit për “Barazinë Gjinore”

Ende pa nisur seanca e djeshme, Sali Berisha i parapriu diskutimeve për projektligjin, teksa për Gonzaton tha se nuk mund t’ia impononte orientimet e veta personale shoqërisë shqiptare.  

“Zotëri ne respektojmë orientimin seksual të të gjithëve. Përpjekjet tuaja për t’i imponuar standarde të përkatësisë së shumëfishtë gjinore, përveç asaj binare, edhe në statusin tënd ti je binar", tha Berisha. 

Sulmi nxiti reagime të mëdha, deri edhe në Bruksel. Vetë Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, e quajti deklaratën të papranueshme.

"Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, shkroi Kos. 

Në mungesë të një reagimi nga Berisha, kërkesën e faljes e bëri vetë kryeministri Rama, duke shpërndarë edhe deklaratën e komisioneres.

“Kërkojmë ndjesë për mënyrën fyese se si një ligj shumë fisnik, plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, është keqpërdorur për të shtrembëruar perceptimin publik, si dhe për mënyrën se si Ambasadori i BE-së është shfrytëzuar për një qëllim kaq të ulët”, shkroi Rama. 

Sa për Berishën, kreu i PD nuk u tërhoq, madje deklaratave i qëndroi edhe brenda sallës së Kuvendit.

“Nuk kam bërë asnjë fyerje ndaj asnjë ambasadori, por kam shprehur mendimet e mia këtu, siç do ju shpreh haptas në çdo rast",- tha Berisha.

Për këtë socialistët njoftuan se kanë kërkuar deri në 60 ditë përjashtim për Berishën, përveç rezolutës e cila mund të jetë e para e këtij lloji nga ligjvënësit për t’u distancuar nga deklaratat e një deputeti tjetër.

Duke e quajtur edhe një herë një skandal diplomatik të përmasave të mëdha socialistët ndërprenë seancën dhe kaluan në votim, ndërsa vetë Berisha e kishte edhe një deklaratë të tretë, duke e rënduar qëndrimin e tij.

“Gjëja më e thjeshtë për mua është të kërkoj falje. Por në qoftë se ambasadori Gonzato një deklaratë të bërë publike vetë se, kam qenë i martuar dhe djalin e vogël e kam 31 vjeç dhe tani jetoj me një partner, ose jam i martuar me një burrë, dhe kjo deklaratë u përdor nga unë”, tha Berisha.