Institucionet më të larta europiane si Parlamenti Europian dhe Këshilli Europian do të kenë të dërguarit e tyre në Shqipëri. Madje këtë radhë “do të instalohen” tre muaj para zgjedhjeve në vend edhe niveli më i lartë i përfaqësuar ndonjëherë I NDI-së (Instituti Demokratik Amerikan).
Të jepet përshtypja se miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, janë lodhur me “çështjen” e zgjedhjeve shqiptare, të cilat prej vitit 1992, asnjëherë nuk kanë qenë të pakontestuara nga vendasit dhe të pakritikuara nga vëzhguesit. “Formula” e dalë boje tashmë “hapa para, por sërish vërehen probleme”, duket se nuk pi më ujë në zyrat e Bashkimit Europian, apo në Departamentin e Shtetit Amerikan.
Nga ana tjetër, paszgjedhjet e vitit 2009, të shoqëruara me protesta masive, me akuza masive, me grevë masive urie nga opozita për grabitjen e votës, duket se e kanë bërë punën e saj. Ndërkombëtarët nuk kanë vendosur këtë radhë t’i besojnë vetëm dy palë syve, por do t’i bëjnë sytë katër.
Gjithë kjo armatë vëzhguesish, kjo vëmendje jo e pakët që po i kushtohet zgjedhjeve shqiptare, të dëshpëron. Nuk mund të përkthehet ndryshe vetëm në mosbesim ndaj institucioneve zgjedhore, ndaj partive politike, ndaj shqiptarëve në përgjithësi.
Është e pamundur të mos përsërisësh se Shqipëria ka pasur shumë herë shansin të zhvillojë zgjedhje dhe numërime, që do ta hiqnin nga “lista e zezë” e vendeve manipuluese, por çdo herë raportet kanë qenë sërish dëshpëruese, pavarësisht notave që diku-diku përcilleshin si entuziaste.
Gjithsesi, pavarësisht këtij markimi ndërkombëtar parazgjedhor, ende nga partitë politike shqiptare nuk po dëgjojmë në mënyrë të qartë e të prerë, angazhimin maksimal të tyre, me fjalë e me vepra, për një proces real dhe normal, gjatë fushatës, gjatë votimit e gjatë numërimit.
Pikërisht kjo heshtje nga njëra anë dhe gjuha që ashpërsohet përditë nga ana tjetër, madje edhe një tendencë për të ndikuar që kjo gjuhë të ashpërsohet, të bën të dyshosh se partia fituese do të rikënaqej me tekstin e zakonshëm të raporteve, mjafton të jetë në pushtet.
Është e sigurt se edhe ata shqiptarë që do të përfitojnë nga ky pushtet, nuk është se do të mërziteshin shumë çfarëdo që të shkruhej në raportet ndërkombëtare.
Por realisht, ky lumë vëzhguesish të huaj në nivele të larta, nuk duket se kanë ardhur për pushime. Nëse problemet zgjedhore në Shqipëri do të jenë të papranueshme për ta, është e sigurt se këtë radhë kundërveprimi mund të jetë i ashpër për ne.
Sot nuk mund të parashikohet se deri ku mund të arrijnë ndërkombëtarët e lodhur nga zgjedhjet shqiptare, por e sigurt është se raportet e tyre nuk do të jenë më “as mish, as peshk”. Për partinë fituese mes polemikash e akuzash, nuk do të jetë e lehtë të qeverisë përballë një blloku të ashpër ndërkombëtar, pavarësisht entuziazmit në vend nga elektorati i vet.
Shqipëria mund të rrezikojë seriozisht të ardhmen e afërt të saj përballë Bashkimit Europian dhe miqësisë së SHBA-ve, deri tani të duruara. A e kemi këtë luks? A mund të rrezikojmë mosvëmendjen e BE-së dhe SHBA-së? Ndoshta partitë politike duhet të reflektojnë sadopak në këta tre muaj.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 22.03.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)