Tregu i drogës po ndryshon edhe në Shqipëri. Gjatë viteve 2025–2026, në vend janë identifikuar për herë të parë tri substanca të reja psikoaktive, ndërsa autoritetet shqiptare synojnë të marrin asistencë europiane për të zbuluar në kohë substancat që shfaqen në treg dhe për të goditur rrjetet e trafikimit.
Për këtë qëllim, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, zhvilloi një takim me drejtoreshën ekzekutive të Agjencisë së Bashkimit Europian për Drogat (EUDA), Lorraine Nolan, me të cilën diskutoi mundësitë e bashkëpunimit dhe asistencës teknike për institucionet shqiptare.
Identifikimi i tri substancave të reja është bërë me ndihmën e Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm, i cili gjatë periudhës 2025–2026 ka përpunuar rreth 120 njoftime të agjencisë europiane. Ministria e Brendshme nuk ka bërë të ditur se cilat janë këto substanca.
Me mbështetjen e EUDA-s, Shqipëria synon të forcojë këtë mekanizëm, duke përmirësuar procedurat për identifikimin e substancave të reja, vlerësimin e rrezikshmërisë së tyre dhe paralajmërimin në kohë për kërcënimet ndaj shëndetit të qytetarëve.
Autoritetet shqiptare synojnë të përfitojnë edhe nga analizat e agjencisë mbi tregjet europiane të drogës dhe tendencat e trafikimit, për të përcaktuar më mirë masat dhe përparësitë e Policisë së Shtetit në luftën kundër narkotikëve.
Demo dhe Nolan diskutuan gjithashtu për trajnimin e specialistëve shqiptarë dhe përmirësimin e cilësisë së të dhënave kombëtare mbi drogën, në koordinim me Observatorin Kombëtar të Drogave.
Bashkëpunimi me EUDA-n lidhet edhe me angazhimet e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, në kuadër të Kapitullit 24, “Drejtësia, liria dhe siguria”.
Në takim morën pjesë edhe Cécile Martel, drejtuese e Sektorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar të EUDA-s, dhe Robert Lagemann, ekspert i jashtëm i deleguar nga Ministria Federale e Brendshme e Gjermanisë.
.










Komente
Komento