Thuajse njësoj, si ngjarja e Morinit edhe ngjarja e Dedë Gjo’ Lulit, ndodhën për shkak të lëvizjes. Domethënë për shkak që të ndalonin lëvizjen…Të dy ngjarjet janë të lidhura me marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve… Më ishte fiksuar të shkoja sot në Morin sa për ngjarjen e ditës, aq edhe për ngjarjen e vitit 1915.
… Morini! Pamja si një e diele klasike: Ca që pushojnë aq thellë sa as frymë nuk marrin, dhe ca që, të nxitur edhe nga fëmijët, u japin gaz makinave të vogla drejt plazheve të Shqipërisë.
Këta që shpejtojnë nga Kosova drejt Durrësit e Shëngjinit…, këta e dinë mirë pse po shkojnë dhe duket se shpëtuan nga ndalimi. Pjesa tjetër që ka rënë në gjumë e po pushon- kjo është çfarë është; as vetë ata nuk e dinë pse pushojnë. Këta, përkundër makinave të vogla e të shumta si milingona që lëvrijnë për në plazhe rëre, këta janë gjigandë para makinave vocërrake. Makina shumë të mëdha, janë shtrirë përtokë si balena të sëmura. As marrin as japin. Ndonjë nga shoferët hap derën e lartë përmes një zhurme dëshpëruese, shkon deri në toilet dhe kthehet…
Të dy këto kahje të lëvizjes i gjen së bashku në pikën e kalimit kufitar të Morinit në Kukës:
Të dy palëve u kanë bërë thirrje në qeverinë e Kosovës përmes disa televizioneve dhe mediave të tjera, që të mos kalojnë kufirin Kosovë- Shqipëri. Mirëpo, ndërsa të parët me vetura ‘ si miza’ e kanë thyer urdhrin dhe i janë drejtuar plazheve, këta që duan të hyjnë në Kosovë nuk mund të kalojnë. Barqet e makinave të mëdha janë plot me mallra nga prodhuesit shqiptar. Këta janë kontraktuar nga blerës të Kosovës ose të Beogradit- por ç’ rëndësi ka; janë njerëz, tregtarë, ekonomiqarë, familjarë që presin mallin. Edhe prodhuesit e Shqipërisë presin paratë nga shitja e mallit dhe të vazhdojnë jetën.
Në ato ‘balena’ ka prodhime të Myzeqesë, të Korçës, të Beratit, të Vlorës…, që nga vaji u ullirit, vera, speca, domate, luleshtrydhe… Gjithçka shtrojmë në tryezat tona familjare.
Në Morinë janë zënë rob, siç u zunë rob tre policë shqiptarë kosovarë në Serbi. Mallrat po vonohen dhe po prishen. Edhe kontratat po bien. Të dy ose tre vendet e lidhura me tregtinë po humbin shumë, si Kosova, Shqipëria apo Serbia.
Qeveria e Kosovës, për shkak të lajthitjeve dhe grindjeve me Serbinë, ka vendosur që të mos lejojë ‘ këmbë balene’ me mallra që të vijnë nga Beogradi ose të shkojnë drejt Beogradit. Zemërata e ka zënë qeverinë më së shumti me Shqipërinë.
Sidoqoftë, këtu ka mbetur gjithë halli. Sikur gjithë bota të tundet, që nga Amerika, Europa, Kina, Rusia, Arabia Saudite…, Kurti i Kosovës nuk lëshon litar.
Këtu në Morinë, është vrarë lëvizja. Njësoj siç vritet udhëtari që është nisur të shpejtojë për punët e familjes së tij, të shkojë e të vijë, të dërgojë mallra e të sjellë mallra, të marrë lajme e të çojë njerëz.
Lëvizjen e kanë vrarë, madje me një paralajmërim të shkurtër.
Kështu u vra Dedë Gjo’ Luli në Orosh të Mirditës. Patrioti, luftëtari e më në fund heroi i madh shqiptar, ishte ftuar në një takim ‘ diplomatik’ ku kishte edhe forca serbe, në Orosh. 75 vjeçari i lavdishëm udhëtoi nga Hoti në Orosh; por këtu i zunë pritë dhe e vranë.
Vrasja ishte ‘ flori’ para urdhrit të autoriteteve ushtarake: Dedë Gjo’ Luli të mos varrosej në tokën e bekuar të kishës!.
Barra e rëndë nuk i përkiste më të vdekurit, të gjallët- malësorë të Mirditës, nuk mund ta mbanin.
… Njësoj si në Morinë sot:
Edhe aty shqiptarë të Kosovës, me siguri e dinë se janë ndaluar lëvizjet shqiptare, mallra të prodhuara me djersë të ‘ vëllezërve’, por çfarë të bëjnë, të mbajnë në shpatulla urdhrin e qeverisë?
Me Dedë Gjo’ Lulin oroshasit e zgjidhën ndryshe: Një nga fshatarët, Bibë Marku u ngrit e tha se Dedën do ta varroste në varrin e babait të tij.
-A ka kishë a Papë, a qeveri që ma ndalon të hap varrin e babait?- tha ai, dhe iu përgjigj vetëm heshtja.
Varrosi të ardhurin nga larg, burrin e Hotit e Grudës dhe zgjidhi gjithë dramën.
… Konflikti në kufi mes Kosovës, Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë, kam frikë se do t’ i përfshijë të gjithë. Më së shumti ata të Kurtit kanë ndërmend ta drejtojnë zjarrin këndej nga ‘ atdheu amë’. Atëherë nuk kemi ku ankohemi, as malësori i Oroshit nuk e zgjidh dot më.