Qeveria ka marrë një vendim të ri për shtetasit ukrainas në Shqipëri, duke u zgjatur afatin e qëndrimit pa leje deri në mars 2027.
Sipas vendimit të miratuar nga Këshilli i Ministrave, qytetarët ukrainas do të mund të hyjnë pa vizë në Shqipëri dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi deri më 30 mars 2027.
E njëjta masë vlen edhe për shtetasit ukrainas që ndodhen aktualisht në territorin shqiptar, të cilëve u zgjatet automatikisht afati i qëndrimit deri në këtë datë.
Me këtë vendim, shfuqizohet akti i mëparshëm i vitit 2022 që rregullonte hyrjen dhe qëndrimin e tyre në Shqipëri.
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa për zbatimin e tij ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Vendimi i plotë
V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E AFATIT TË HYRJES E TË QËNDRIMIT TË SHTETASVE TË UKRAINËS NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 29, të ligjit nr.79/2021, “Për të huajt”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shtetasit e Ukrainës lejohen të hyjnë pa vizë në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të qëndrojnë pa leje qëndrimi deri më 30.3.2027.
2. Shtetasit e Ukrainës, të cilët gjenden në territorin e Republikës së Shqipërisë, lejohen të qëndrojnë pa leje qëndrimi deri më 30.3.2027.
3. Vendimi nr.169, datë 18.3.2022, i Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e afatit të hyrjes dhe qëndrimit të shtetasve të Ukrainës në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
Komente











