Ka mjaftuar një rritje e akcizës vetëm për purot e holla (cigarillo) dhe një ndryshim në regjimin e detyrimeve të tregtarëve të mëdhenj të duhan-cigareve, që menjëherë të rritet çmimi fundor i paketave në treg. Gjatë ditës së djeshme është konstatuar se një numër paketash të cigareve më të kërkuara shiten me çmim më të rritur 10 deri 20 lekë për paketë.

Gjatë këtij viti nuk është bërë rritja e parashikuar e akzicës, që synon largimin e duhanpirësve nga ky ves nëpërmjet shtrenjtimit të çmimit, çka sjell edhe një kosto më të ulët në kurimin e sëmundjeve më të rënda që favorizohen nga pirja e duhanit. Ky është një angazhim i ndërmarrë nga vendi ynë në kuadër të afrimit me legjislacionin evropian.

Për një kategori të veçantë cigaresh të njohur si cigarillo nga datë 1 janar ka filluar aplikimi i një niveli të ri akcize. Këto të fundit janë cigare të mbështjella me duhan apo të njohura rëndom si “puro”. Konkretisht, niveli i ri i akcizës së cigareve, u rrit nga 5.750 lekë/1.000 copë që ishte, në 5850 lekë/10.00 copë. Efekti pozitiv në buxhet llogaritet 1 miliardë lekë. Paralelisht me këtë tatimet kanë bërë me dije se ka ndryshime edhe tek pjesa që lidhet me furnizimin e cigareve.

Në një udhëzim të veçantë është sqaruar me hollësi procedura e furnizimit dhe faturimit të të gjitha hallkave që nga furnizuesi kryesor deri te njësia e shitjes me pakicë të cigareve. Në krahasim me udhëzimin e mëparshëm, ngarkohen të gjitha hallkat e rrjetit të furnizimit të cigareve për të deklaruar inventarin gjendje (stoku) brenda pesë ditëve punë nga aplikimi i çmimit të ri, me qëllim llogaritjen dhe pagesën e TVSH-së sipas çmimit të ri.

d.c./shqiptarja.com