TIRANE- Ndonëse emri i Slobodan Tesiç është vërejtur në Shqipëri që pas sigurimit nga media të dosjes "Gërdeci", do të ishte një kabllogram i hartuar në vitin 2009 nga ambasadori amerikan në Bullgari ai i cili do të risillte vëmendjen mbi trafikantin serb edhe në Shqipëri në Dhjetor të vitit 2010. Në një kabllogram drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit, ambasadori Stefan Seke, ka informuar mbi aktivitetin e kompanisë "Moon Storm Enterprises ltd" e cila është nën pronësinë dhe kontrollin e trafikantit serb Sllobodan Tesiç. Në dokument raportohet se Slobodan Tesiç ka shitur armë për ushtrinë e Jemenit, Sipas të dhënave të renditura nga ambasadori amerikan ka qenë shërbimi sekret i Bullgarisë ai i cili është alarmuar për këto ngarkesa, duke vënë në dijeni aleatët amerikanë. "Një kompani e lidhur me trafikantin e paligjshëm të armëve, Sllobodan Tesiç, "Moon Storm Enterprises Ltd" firmosi një marrëveshje prej 78 milionë dollarësh me Ministrinë e Mbrojtjes së Jemenit në janar të vitit 2010. Kontrata prej 34 faqesh, një kopje e të cilës u sigurua nga oficeri ekonomik më 7 dhjetor dhe që më pas u dërgua në zyrën përkatëse në Uashington, flet për shpërndarje armësh të lehta, municione, municione artilerish, pushkë snajper, pajisje shkatërruese, pushkë antiajrore dhe topa obuz. Ambasada bullgare bën të ditur se personi i kontaktit dhe emri i shënuar në kontratë janë të lidhur me Slobodan Tesiç, një qytetar serb i listuar në aneksin e të ndaluarve nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përkatësisht rezoluta 1521", - shkruhet në kabllogram.

TË DHËNAT
"Bëhet fjalë për një kompani serbe off-shore, e regjistruar jashtë juridiksionit të operatorit rregullues në Qipro dhe e zotëruar nga Slobodan Tesiç. Ka disa krime që lidhen me këtë person, që përfshijnë furnizim armësh në vendet e konfliktit si Irak, Liberi etj., për regjimet terroriste. Personi i regjistruar si partner i tij ka fuqi për kompaninë A/M. Ai ka firmosur kontratën", shkruhet në dokumentin e ambasadës amerikane. Në kabllogram theksohej se Tesiç zotëron edhe një pasaportë britanike, por nuk ka asnjë autorizim zyrtar apo licencë të lëshuar nga Mbretëria e Bashkuar për tregtinë e materialeve luftarake në emër të tij. "Zoti Slobodan Tesiç u përpoq të hyjë në Bullgari gjatë vitit 2005, por u kthye sërish në Serbi, pasi ai figuronte në listën e zezë të OKB-së. Sipas agjentit tonë në Jemen Tesiç ka udhëtuar shpesh në Jemen në vitet e kaluara për kontratat e tij, siç theksohet nga personi i kontaktit i cili është në kompaninë partnere të Tesiç. Personi i kontaktit i tha oficerit ekonomik tonë se ai i dha një informacion për transferimin e armëve, të siguruara nëpërmjet burimeve të Ministrisë së Mbrojtjes së Jemenit, i cili shpreson se qeveria e SHBA do të ndalë shitjen e këtyre furnizimeve nga Bullgaria për repartet ushtarake jemenite Royg", shkruhet në kabllogram.
(Shkrimi u publikua më 3 tetor 2012 në gazetën Shqiptarja.com)

(sg/shqiptarja.com)