Gjelat e detit nga zona e Baldushkut, e cila njihet për rritjen e tyre, janë kthyer në traditë për tavolinën e çdo qytetari të Tiranës në mbrëmjen e Krishtlindjeve dhe darkën e Vitit të Ri.

Po sipas fermerëve të Tiranës çmimi i gjelave të detit ka përsuar rënie. Sipas fermerëve, shitjet këtë vit janë më të ulëta sesa vitet e kaluara, e për pasojë kjo ka ndikuar edhe në uljen e çmimit.

Tregtar 1: Është 6 mijë kg e kemi bërë tani se nuk e marrin. Do doja me 8, por e japim me 6 se s’ka shitje.

Tregtar 2: E shes prej hallit, se s’ke çfarë të bësh. Ka pasur, por i duan lirë.

Tregtar 3: Shitja për këtë vit është shumë dobët. Nuk ka tregtarë, shumë popull i varfër.

Për fermerët një tjetër problem mbetet konkurenca nga tregtarët që vijnë nga rrethet.

Tregtar 1: Na kanë ardhur tjerët nga andej dhe ne rrimë këtu. Kanë sjellë nga rrethet e tjera, i japin me 5 mijë, 4 mijë.

Tregtar 2: S’ka shitje, se kanë futur nga tregjet e tjera.

Reshjet e rëna ditët e fundit kanë krijuar baltë në Tregun e Gjësë së gjallë. Kjo ka bërë që një pjesë e tregtarëve t’i tregtojnë gjelat e detit buzë rrugës.

"Ja, kemi dalë këtu direkt në asfalt, nuk ka treg shitje, as shtruar as asgjë prej gjëje", thotë një tregtar.

Për të tretin vit radhazi, fermerët e Tiranës i tregtojnë gjelat e detit në tregun e Vishnjes në Baldushk. 

d.c./shqiptarja.com