Zjarri që shkrumboi 10 mijë metra katror kapanone te ish-tregu “Uzina Dinamo” mbrëmjen e së enjtes në Tiranë u shkaktua nga një shkëndijë elektrike.

Zyrtarisht Policia e Tiranës njofton se zjarri ishte aksidental dhe shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në mallrat që më shumë se 100 magazina kishin brenda. Materialet u referuan në Prokurorinë e Tiranës, e cila do të vijojë më tej hetimet për sqarimin e plotë të shkakut.

“Më datë 08.01.2026, në rrugën “Ferit Xhajko”, dyshohet se, si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në kapanonet e tregut të njohur ndryshe si ish-tregu “Uzina Dinamo”, ku për pasojë ka patur dëme të konsiderueshme në mallra dhe dëme materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale dhe dyshohet se shkaku i rënies së zjarrit ka qenë aksidental. Materialet u referuan në Prokurori për hetime të mëtejshme”, njofton Policia.

Zjarri masiv u shfaq rreth orës 19:00 të së enjtes. U deshën vetëm pak minuta që të përfshinte sipërfaqe të tëra të magazinave. Në vendngjarje, përveç zjarrfikësve të Tiranës mbërritën edhe ato të Kamzës, Vorës dhe Elbasanit, të cilat luftuan për orë me radhë për vënien në kontroll.

Tregtarët që humbën investimet e një jete janë të shokuar nga ngjarja, pasi nuk i kishin bizneset të siguruara. Dëmet financiare nga flakët konsiderohen masive.