TIRANË- Euro dhe dollari kanë shënuar tendencë rënëse gjatë ditës së sotme në tregun e brendshëm valutor, ku më e fortë ishte tkurrja e monedhës së gjelbër.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 123.61 lekë, duke u ulur me 0.02 lekë në krahasim me ditën e mëparshme, duke zbritur në nivelin më të ulët që prej fillimit të muajit gusht. Euro është e dobët prej disa javësh në tregun vendas, ndonëse në tregjet ndërkombëtar ajo po këmbehet afër nivelit më të lartë në dy vjet e gjysmë kundrejt dollarit.
Edhe gjatë ditës së sotme, euro në bursa arriti afër 1.22 dollarë, duke u rritur me 0.35%, niveli më i lartë që nga prilli 2018, pas shpresave për stimuj të mëtejshëm dhe programi shtesë të blerjeve të obligacioneve të Rezervës federale të SHBA-ve.
Ndonëse në rritje në bursa, në tregun e brendshëm euro shënoi ulje të lehtë. Ndërsa nënçmimi i dollarit, për shkak të mos rritjes së euro, ishte edhe më i fortë në tregun e brendshëm, duke zbritur në 131.36 lekë, me rënie prej 0.39 lekësh, niveli më i ulët nga marsi 2014.
Aktorët e tregut pohojnë se dobësia e monedhës së përbashkët dhe dollarit lidhet me faktin që tregu nuk po arrin të tërheqë valutat, ndërsa oferta për to mbetet e larta dhe kërkesa është e ulët.
Burime nga banka e Shqipërisë pohojnë se këto kohë nuk ka pasur as veprime nga Ministria e Financave për shitjen e eurove dhe faktorët që kanë ndikuar lidhen me kërkesë ofertën në tregun e brendshëm.
Për shkak të krizës ekonomike të krijuar nga pandemia kërkesa për valutë mbetet e ulët. Në kahun tjetër, këtë vit nuk ka as prenotime për pushime jashtë vendit, duke qenë një tjetër faktor që ka ndryshuar kërkesën.
Sezonalisht fundi i vitit shoqërohej me një rënie të valutave, për shkak të rritjes së prurjeve të emigrantëve, por këtë vit ky faktor është i dobët, teksa Italia dhe Greqia ardhjet e emigrantëve janë të kufizuara për shkak të kufizimeve nga pandemia./Monitor
Ndikimi nga paraja e piset se nuk besoj eshte politike monetare nga BSH. Ka aq shume valute ne treg sa ka prishur ekuilibrat monetare. Eshte njelloj sikur Shqiperia te eksportoje mallra dhe te kete shume hyrje valute. Ne rastin tone nuk eshte se po bejme namin me mallra te ligjshem dhe as Banka e Shqiperise nuk eshte se ka bere ndonje nderhyrje me valuten. Keshtu qe mbetet vetem futja e valutes ne menyre te paligjshme dhe te gjithe e dime se cfare produkti tregtojme ne menyre te paligjshme.
Përgjigju