Pas 9 ditësh në intubim 15-vjeçari i cili u plagos me thikë në zemër nga një 14-vjeçar në qytetin e Durrësit, ndërroi jetë një ditë më parë.
Banorët e zonës aty pranë shprehen të tronditur nga kjo ngjarje teksa theksojnë se fëmijët duhet të kontrollohen para se të shkojnë në shkollë.
Ndër të tjera qytetarja shprehet se ata janë fëmijë dhe nga inati e sipër kushedi çfarë bluajnë në mendje.
“Atë djalin e pata njohur. Na ka tronditur, djali 15-vjeç, por çfarë t’u bësh fëmijëve. Prindërit nuk e dijnë se ç'bëjnë fëmijët në shkollë. Gabimi jonë është se në mëngjes kur del fëmija ne duhet t’i kontrollojnë ka thikë apo jo, edhe shkolla duhet t’i bëjnë një kontroll.
Këta janë fëmijë edhe zihen, nga inati e sipër kushedi çfarë nuk iu pret mendja. Ata ndoshta edhe i fshehin thikat, jashtë shkolle”, tha një banore e zonës, teksa shtoi se 'ky djali që është vrarë më ka rrahur nipin.
I mituri Erjon Boba u transportua dy ditë më parë në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza për ndihmë më të specializuar, por fatkeqësisht nuk mundi të mbijetonte.
Më 27 nëntor Gjykata e Durrësit konfirmoi masën e arrestit me burg për autorin 14-vjeçar.
Kur ndodhi ngjarja?
I mituri u plagos me thikë në pjesën e gjoksit, pranë zemrës, rreth orës 14:00 të 25 nëntorit, vetëm 20 minuta në këmbë nga shkolla “Dom Nikollë Kaçorri”, ku mësonin të dy nxënësit e përfshirë në konflikt.
Burimet policore thanë se sherri nisi nga një koment në rrjetet sociale dhe ofendimeve të vazhdueshme në shkollë, të cilat më pas degraduan në plagosje me thikë. Dyshohet se 15-vjeçari Erjon Boba e kishte marrë në telefon autorin 14-vjeçar për të kërkuar sqarime, pasi kishte dëgjuar se ai e shante vazhdimisht në shkollë.
Ata u dakorduan të takoheshin për tu sqaruar ku të pranishëm kanë qenë dhe shokë të tjerë të dy palëve, të cilët janë marrë në pyetja nga policia për ngjarjen e rëndë.
Komente









