Tregu rajonal/ Kosova ankohet për pengesat që has në Shqipëri biznesi i saj

Tregu rajonal/ Kosova ankohet për pengesat që has në Shqipëri biznesi i saj

Përfaqësues të sipërmarrjeve të Kosovës kanë paraqitur dje, në një konferencë të përbashkët me Dhomën e Tregtisë, ku pjesëmarrëse ishte dhe ministra e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj dhe zv/kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, një sërë problematikash me të cilat ata hasen gjatë aktivitetit të biznesit që ata ushtrojnë në Shqipëri.

Astrit Panxha, drejtor i Forumit Mbarëkombëtar Kosovë-Shqipëri tha se marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Kosovë janë në rritje, por përfitimet më të mëdha të rritjes i ka pasur Shqipëria. Kosova i ka lënë tregjet e hapura me Shqipërinë, tha ai. Në të kundërtën, bizneset e Kosovës hasen me një sërë pengesash jotarifore.

Ndër këto pengesa u përmendën zbatimi i normës më të lartë të akcizës për produkte të prodhuara nga plastika në krahasim me normën e akcizës së aplikueshme për produktet e njëjta të prodhuara në Shqipëri. Tjetër problem është mosmarrja për bazë e çmimit të faturës nga dogana në Shqipëri, çka bën që bizneset e Kosovës të paguajnë më shumë TVSh në doganë, duke mos qenë konkurrues me çmimet.

Mungesa e harmonizimit të legjislacioneve ka qenë një problem i kahershëm i ngritur nga bizneset e të dy vendeve, së bashku me mosnjohjen e dokumenteve dhe procedurave respektivë që mbahen nga agjencitë doganore në dy kahet e kufirit (psh nga autoritetet sanitare dhe fitosanitare). Bizneset e Kosovës paguajnë dhe 20 euro për çdo ngarkesë fitosanitare për mallrat që destinacion kanë Kosovën, dhe që në Shqipëri kalojnë vetëm tranzit.

Kreu i Dhomës së Tregtisë së Tiranës, Nikolin Jaka tha se janë bërë 6 mbledhje qeverish Shqipëri-Kosovë, por problematikat në bashkëpunim janë prezente dhe gjithashtu bizneset nuk janë të mirëinformuar për potencialet dhe problematikat mes dy vendeve.

Zv/kryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj tha se koha për spektakle ka mbaruar. Ai shtoi se nuk ka pasur rezultate nga mbledhjet mes dy qeverive. “Kemi vërejtur burokraci në punën e grupeve për marrëveshjet”, tha ai, duke shtuar se bizneset nga Kosova kanë problem skanimin dhe taksën në kufi. “Tarifa e skanimit duhet të jetë vetëm për Shqipërinë, është absurde të aplikohet për Kosovën”, shtoi z.Limaj. “Për 5 lloje produktesh duhet paguar nga 22 euro, kjo është haraç“. Ai pranoi se edhe taksa e parkimit në Kosovë është absurde, por u tregua i gatshëm për të hequr dhe pengesën e fundit me Shqipërinë.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha objektivi është te thjeshtimi i burokracive dhe procedurave mes dy vendeve. “Por kemi akoma rrugë për të bërë. Një sistem i informatik i ri do të shmangë shumë procedura në dogana”. Ajo premtoi se do të negociojnë me kompaninë e skanerit për tarifën e skanimit për sipërmarrjet e Kosovës.  “E mendojmë që nuk është i pamundur. Kërkesat e Kosoves për procedurat doganore, skanerin, taksën e rrugës janë të negociueshme”.

Denaj shtoi se duhet të harmonizojmë rregullat për investimet e huaja direkte, pasi mund të bëhemi më konkurrues se Serbia, sepse kemi popullsi më të re dhe kosto më të lira pune.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Incidenti në Detin Baltik, NATO do të rrisë praninë në rajon

Incidenti në Detin Baltik, NATO do të rrisë praninë në rajon