Euro ka prekur nivelin më të ulët të këmbimit me lekut që prej fillimit të vitit. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer dje me 123.26 lekë, rreth 0.08 pikë më pak se një ditë më parë. Ky është niveli më i ulët i këmbimit i monedhës së përbashkët në raport me lekun që nga fundi i vitit të kaluar.
Ekspertët e këmbimit valutor japin disa arsye për nënçmimin e valutës në vend. Oferta në euro në tregun vendas është e lartë, ndërsa kërkesa vijon të jetë e dobët. Sipas agjencive kryesore në vend, biznesi ka reflektuar një kërkesë të dobët për valutë dhe kjo ka ardhur nga rënia e qarkullimit. Ata argumentojnë se kriza politike po ndikon te konsumi i individëve, njerëzit nuk po blejnë dhe nuk po shpenzojnë. Me afrimin e stinës së verës, aktorët e tregut parashikojnë që euro të mbetet e dobët si rrjedhojë e efekteve sezonale, të prurjeve të shtuara në valutë nga turistët, që tashmë kanë filluar të mbërrijnë dhe më vonë të emigrantëve, që kulmojnë në gusht.
Arsye tjetër që ata listojnë është edhe kërkesa nga bankat tregtare, të cilat edhe pse e rregulluan mënyrën e transferimit të valutës jashtë, përsëri po tërheqin pak valutë nga tregu. Transferimi i parave jashtë vendit është një procedurë normale e bankave, të cilat një pjesë të parave të lira nga depozituesit (euro, dollarë, paund etj.), i vendosin në institucionet financiare jashtë vendit, si formë alternative e investimit dhe për këmbime cash valutore. Ky transferim kryhet fizikisht dhe kjo është një marrëdhënie që bankat e zgjidhin me shoqëritë private të sigurisë fizike.
Së fundmi ka qenë ndikimi prej bursave ndërkombëtare ku një euro ka zbritur poshtë nivelit të këmbimit prej 1.12 dollarë.
Ndryshe nga euro, dollari amerikan është forcuar dje në treg. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një dollar është këmbyer me 109.95 lekë.