/ATSH/- Në një kohë kur monedhat e huaja kanë arritur të jenë të forta në tregun vendas, exchanget që mbajnë komisione të larta, ulin ndjeshëm fitimin e qytetarëve, sidomos të atyre që këmbejnë para për këstet e kredive.

Komisioni i mbajtur nga exchanget është 8 për qind e shumës së këmbyer, vlerë kjo që po kundërshtohet nga ankesat e shumta të qytetarëve.
Drejtoresha e Tregut të Brendshëm në Ministrinë e Ekonomisë, Klodi Neziri, shprehet se "Ne kemi patur ankesa nga konsumatorët për këtë çështje dhe po kryejmë  monitorim të tregut veçanërisht ne exchanget".

Veç lajmërimit të Bankës së Shqipërisë lidhur me këtë fenomen, Neziri bën me dije se Ministria e Ekonomisë do të marre masa për penalizimin e këtyre njësive të këmbimit valutor. "Pasi të mbarojmë këtë proces të këtyre ankesave të qytetarëve ndaj exchangeve specifike, ne do u dërgojmë të gjithë exchangeve një njoftim ku duhet të respektojnë të gjithë rregullat e ligjit të mbrojtjes së konsumatorit ku bëhet fjalë për shkëmbimin valutor", vijon Neziri.