Ditët e fundit, ne organizuam një takim prezentues të idesë sime për Trepçën ku morën pjesë shumë ekspertë të sektorit të minierave, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, ambasadave të huaja,botës akademike, odave ekonomike të vendit, etj.

U entuziazmova nga pjesëmarrja masive në aktivitetin që ne organizuam së bashku me ministrat e AKR-së në qeveri, zonjën Mimoza Kusari Lila, dhe zotëri Fadil Ismailin. U impresionuam nga fjalët e mira që dëgjuam nga shumë prej folësve.

Ne morëm mbështetje nga ekspertët për këtë ide të rivitalizimit te motorit më të madh të zhvillimit ekonomik të vendit. Askush nuk e kundërshtoi idenë tonë, por të gjithë folësit ishin kritikë për funksionimin e AKP-së dhe privatizimet e deritanishme.

Të gjithë ishin për mosprivatizim të Trepçës dhe për një mënyrë të re të administrimit të saj. Më vjen mirë se përfaqësuesi i Bankës Botërore, shprehu fjalë vlerësimi kur tha se « fillimi i debatit është inkurajues dhe ky është hapi i parë që mendoj se është hapë shumë i rëndësishëm”.

Zotëria Jan-Peter Olters ka eksperiencë ndërkombëtare dhe ai ka potencuar shprehimisht se themelimi apo regjistrimi i ndërmarrjes Trepça jashtë Kosovës është një model i ri i paparë deri më tani në Kosovë përveç privatizimit.

E çmoj shumë dhe rrokjen që ai i bëri mesazhit jo të drejtpërdrejtë të prezentimit tonë se “zhvillimi i mëtutjeshëm i Trepçës mund të ndihmojë edhe në stabilitetin politik në këtë pjesë, pasi sipas tij, për momentin de fakto Trepça është e ndarë dhe se nga Trepça do të ketë perspektivë ekonomia e Kosovës dhe kjo do të shkojë në të mirë të banorëve të anës veriore të Ibrit”. Megjithatë zotëri Olters ka bërë me dije se është një numër i parakushteve që duhet të përmbushet para se të funksionalizohet kjo ide.

Normal se unë nuk prisja më shumë prej një prezentimi të parë. Të tjerë prezentime apo dëgjesa do të vijojnë rreth kësaj teme, apo dhe themelimit të Agjencisë së Participimeve, Partneriteteve publiko private, një modeli të ri në prodhimin e qumështit në vend, etj. Më vjen mirë se një pjesë e zërave mediatike që thurnin telenovela rreth gjoja një interesi tim privat u detyruan të raportonin në mënyrë korrekte atë që ishte prezentimi më transparent në mbi dy orë transmetim të drejtpërdrejtë në RTK. Më vjen mirë që u çmontuan përralla mbi gjoja këtë interes

Parimet ku mbështetet ideja dhe puna ime

Cilat janë parimet ku ngrihet ideja ime, që në fakt është një projekt i mirëmenduar i administrimit të Trepçës ?

Parimi i parë është ai që udhëheq tërë angazhimin tim politik në Kosovë. Kur hyra për herë të parë në garën zgjedhore unë u zotova se do ta ndihmoj vendin tim të shkëputet nga varfëria e skajshme, do të nxis punësimin, dhe do zhvilloj vendin.

Dikush mbase ka menduar se falë meje do të binin para nga qielli, por është gabuar. Unë Kosovës sigurisht i kam sjellë investimet e mia, por mbi të gjitha unë i jap dhe do i jap asaj gjithmonë, idetë e mia, projektet e mia, dituritë e mia, kontributin tim që më kanë sjellë suksese kudo në botë dhe tash ka ardhur koha që të realizohen në vendin tim. Unë prej kohësh, që nga viti 1999 së bashku me ekspertët e mi kam projekte të detajuar për gjithë industritë, minierat, për gjithë ekonominë e Kosovës dhe formulova planin e detajuar për të gjithë ekonominë e Kosovës. Më duhej angazhim politik që të mundësoja sadopak realizimin e tyre.

Në këtë kuadër unë kisha dhe projektin tim për Trepçën.Trepça është pasuria më e madhe e Kosovës. Ajo i takon të gjithëve. Ne që jemi gjallë, atyre që do lindin nesër, bijve të tyre, dhe derisa të ketë një dhe, një tokë që quhet Kosovë. Pra asnjë qeveri s’mund të bëjë një gabim, pasojat e të cilit do bien mbi të gjithë brezat.Trepça është aq e rëndësishme sa ajo nuk mund të trajtohet lokalisht, por ndërkombëtarisht, në mënyrë globale.


Për produktet e saj janë të interesuar gjithë bota. Por për të menaxhuar një kompani si ajo, nuk dinë të gjithë, sepse siç e tha një ekspert në prezentimin tonë, afro 80% e minierave në botë, janë në duart e një grupi të vogël kompanish, dëshmia më e fortë e globalizmit. Këto kompani me renome sigurisht nuk vijnë ta blejnë Trepçën në rrethanat ku jemi, veçse nëse ja falim. Por ne mund t’i thërrasim ata në menexhim nëpërmjet një formule inovative biznesi.

Pra Trepça, nuk mund të administrohet me mënyrat e vjetra të trajtimit të pronës publike që kanë përfunduar, në dëmtim të ekonomisë së Kosovës, por me forma moderne. Dhe unë i njoh këto forma, i kam eksperimentuar, sepse unë jam mbështetur në eksperiencat më të mira të trajtimit të pronës publike të kësaj natyre. Vetëm disa vjet më parë, një pasuri e ngjashme në një vend që unë e njoh mirë po mendohej të nxirrej në shitje për disa qindra milionë euro. Dikush e dëgjoi këshillën time dhe disa vjet më vonë ai kompleks minierash u shit për 18 miliard euro. Njëjtë ky projekt imi për Trepçën synon shumë shpejt ta dhjetëfishojë vlerën për të cilën përflitet se mund të shitet Trepça.

Interesi im ? Prej Trepçës të ndryshojë për mirë gjithë Kosova

Dhe këtu dua të them diçka të sinqertë për ata keqdashës, që kanë folur dhe shkruar gjatë për gjoja interesa të mi privatë në këtë ide. Janë disa argumenta të thjeshtë, pse ideja ime është një shërbim i madh për Kosovën dhe kurrfarë interesi privat.Projekti ynë për Trepçën, nuk është privatizim i menjëhershëm, i egër i pasurisë së gjeneratave të tëra të Kosovës. Këtë s’do të na e falte historia. S’do na e falnin brezat e rinj. Pse ? Sepse unë gjithmonë kam qenë kundër privatizimit të egër të menjëhershëm. Nëse do isha pro privatizimit, atëherë mund të kisha interesa privatë. Unë kam qenë dhe jam kundër privatizimit të menjëhershëm.

Po ashtu ky projekt nuk ofron emra kompanish, emra përfituesish, të administrimit, apo të privatizimit. Ky projekt ofron një metodë të sigurt. Pse ? Sepse ky projekt synon një administrim ndërkombëtar të cilësisë më të lartë. Projekti im nuk bazohet në privatizime apo koncesione, por bazohet në krijimin e biznesit modern mbështetur në asetet tona. Ne kemi nevojë për njerëz, për dituri, ekspertë botërorë që do të paguhen mbi bazën e suksesit.

Ne do të marrim pjesë në entitetin e ri që do i jepet në menaxhim një kompanie me renome ndërkombëtare jo si qeveri, por si Agjenci participimesh. Ne do sjellim shumë shpejt për Trepcën, partnerë amerikanë, anglezë, gjermanë apo më të mirët në botë, kushdoqofshin. Kompania e re do të shtojë vlerën e vet dhe nëpërmjet licencave ekskluzive për shfrytëzimin e mineraleve dhe begatimin e fazës së parë të mineraleve.

Kompania mund të marrë mbështetje financiare nga bankat dhe të krijohet kolateral gjyqësor per pretendimet e kreditorëve (nëse ka) dhe pastaj do te mundesohet dalja në bërzën ndërkombëtare të metaleve. Pasi të shfryëzojmë minierat mbi bazën e efektivitetit ekonomik, pasi t'ja shtojmë vlerën kompanisë së re që mund ta ketë selinë diku jashtë Kosovës, mund te shohim mundësinë e privatizimit të pjesshëm.Ky projekt është prezentimi më transparent në historinë e administrimit të pasurive të Kosovës. Ishin të ftuar të gjithë. Gjithcka është publike. Të heshtin telenovelat për Behgjet Pacollin me shokë.

S’mund të ketë interesa privatë në një projekt ide që kërkon opinione alternative, që del në dritë të diellit, që zhvillohet me kontributin e të gjithëve. Ne i ftuam dhe i ftojmë të gjithë të diskutojnë. Ne i ftojmë të gjithë të japin projekte alternative. Nëse s’kanë le të heshtin dhe të mbështesin idenë tonë. Trepça është e të gjithë Kosovës.


Ndaj projekti për të duhet të ketë konsensusin e të gjithë shoqërisë.A kemi thënë se AKR në drejtim të ekonomisë do i japë shumë Kosovës? Ja ku po ju japim një provë që bëhet më e prekshme me angazhimin e zotëri Fadil Ismailit në ministrinë e zhvillimit ekonomik. Ne po e bëjmë tonën. Në këtë qeveri ne kemi ardhur me mision, për të shërbyer. Koha e mburrjeve, e protagonizmave historike ka kaluar.


Dikur populli do lodhet me storiet e politikës së përditshme, madje druaj se është lodhur sepse rinia kërkon punë, kërkon perspektivë jete në vendin e vet. Dikur populli do kuptojë se nacionalist dhe patriot është kush mbron pronën e Kosovës, kush e zhvillon atë, kush krijon begati. Ne si AKR duam të shërbejmë në këtë drejtim. Na duhet mbështetja e të gjithëve, edhe e kritikëve. Kush na pengon në këtë mision, le ta mbajë vetë përgjegjësinë për dështimin.