PRISHTINË, 22 Janar /ATSH/.-Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri, përshëndeti vendimin e minatorëve të Trepçës në Stantërg për pezullimin e grevës.
"Falënderoj minatorët për vendimin e tyre të mençur për të ndërprerë grevën dhe për t'ju dhënë kohën e duhur institucioneve të Republikës së Kosovës për të realizuar premtimin e tyre për zgjidhjen e çështjes së Trepçës, në interes të punëtorëve të saj dhe qytetarëve të vendit", deklaroi ai.
Bahtiri theksoi se duhet të kihet besim tek institucionet e Kosovës për zgjidhjen e drejtë të çështjes së Kombinatit Trepça, por edhe të ndërmarrjeve të tjera, duke u shprehur i bindur se zgjidhjet do të jenë në interes të punëtorëve, qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës./b.j//m.m/