Ndonëse e rrethuar nga plot njerëz ajo dje u shfaq e vetmuar, e zhgënjyer, e fyer. Asnjë nga njerëzit e atyre anëve nuk i doli në krah, as bashkitë e komunat, as shkollat, as njerëzit vetë. Në një paradite plot diell njerëzia kalonin indiferentë në krah të makinave ushtarake të stërmbushura me plehrat që ata i kishin hedhur vetë lart e poshtë në anët e rrugëve, ndër rrëpirat e përrenjve, ndër rrëzat e kodrave dhe maleve, nga pak kudo.
Trishtimi i zonjës Kodheli nuk duhet marrë assesi si një gjë e saj personale, apo më keq akoma e qeverisë, apo e partisë së saj. Duhet marrë në radhë të parë si dështim i qytetarisë shqiptare, i asaj pjese të mbarë që ende besonim se gjallonte brenda nesh. E shtuna, që porsa lamë pas, flet shumë për disa nga tiparet e popullit tonë “supereuropian” që po i bikan më kot më qafë atje larg në Bruksel. Kjo e shtunë na bëri edhe një herë me dije se terma të tilla si “së bashku”, “solidaritet”, “vullnetarizëm”, “respekt reciprok” e të tjera si këto janë një gjë që ne, nëse i njohim, në rastin më të mirë i lidhim me kohën e komunizmit kur këto përdoreshin të sforcuara, të imponuara dhe vend e pa vend deri në neveri.
Mirëpo, harrojmë se ndërkohë Europa, ku përgjërohemi të shkojmë, është ndërtuar pikërisht mbi bazën e këtyre parimeve.
E shtuna e trishtë e zonjës Kodheli na kujtoi edhe një tjetër gjë. Na kujtoi se sa fort na ka ndarë deri më tani politika. Shumë njerëz ndër ato anë, kryesisht drejtues të bashkive e komunave që i përkasin opozitës, duhet ta kenë vrarë mendjen: Kodheli është me Edi Ramën. Ç’ne me lazëm të dalim ne në krah të aksionit që ajo drejton! Të njëjtët njerëz, që pranojnë të bashkëjetojnë me plehrat si në një jetë të zakonshme, do të brofnin sakaq në këmbë me një okë qejf për ndonjë miting apo ndonjë grumbullim tjetër. Në vërtet sot mund të jemi të ndarë ndër parti apo bindje politike, porse Shqipëria jo.
Edhe sikur të duam ne kjo është e pamundur. Përndryshe i bie që edhe qiellin ta ndajmë më dysh a më tresh.
Kjo sa u takon njerëzve të opozitës. Po, po ashtu na takon të pyesim edhe për militantët e vetë PS. Ku ishin ata të shtunën teksa ushtria e komanduar nga Kodheli pastronte rrëmujën e pistë në të cilën edhe ata kishin kontribuar po aq sa edhe të tjerët? Apo edhe këtë herë nuk i la Saliu që të hidhnin ndonjë lopatë në krah e t’u ndihnin ushtarëve? Nëse nuk ua kanë thënë ende dikush, duhet të kujtohet e t’ua thotë se ndër vende normale demokratike të marrësh pjesë në një parti nuk do të thotë vetëm të bësh militantin me fytyrë të ndërsyer me shpresën se pas zgjedhjeve do gjesh ndonjë vend të mirë pune. Të militosh në një parti do të thotë para së gjithash të përkrahësh idetë që ti vetë i mendon si më progresivet e më të dobishmet për vendin, për ty vetë, për fëmijët e tu.
Dje pamë edhe një gjë tjetër. Rinia dhe ushtria jetë e mot janë nga forcat më aktive të vendit. Për shumë arsye, për shkak të energjive, për shkak të ideve të reja, për shkak të mospajtimit me realitetin, për shkak… të tilla janë shumë. Dje ushtarë e të rinj i pamë të çonin dy jetë të ndara. Pamë ushtarë me lopatë e me mëngë të përveshura t’u pastronin vendin të vetëm bashkëmoshatarëve të tyre, të cilët ndërkohë silleshin vërdallë ndër bilardo apo Internet-Caffe, apo thjesht duke përtypur fara kungulli. Asnjë shkollë, asnjë grupim rinor, asnjë ndër anëtarët e rinj që – kështu thonë të paktën – po vërshojnë të mbushin radhët e partive – nuk u gjend në krah të njerëzve të Kodhelit.
Këtë të shtunë munguan në aksion edhe dhjetëra apo qindra shoqata ambientaliste, të cilat herë të tjera i kemi parë shumë aktive. Si është puna? Të jesh shoqatë e pavarur nuk do të thotë të mos shfrytëzosh, apo thjesht të mos u bashkohesh të gjitha nismave të mundshme, qofshin këto edhe nga qeveria, që i shërbejnë qëllimit tënd. Në këtë rast mbrojtjes së mjedisit. Të jesh shoqatë nuk do të thotë të jesh vetëm dhe vetëm altoparlant protestues, do të thotë në radhë të parë të përveshësh mëngët vetë. Kjo gjë nuk ndodhi dhe kjo e kalon një pjesë të mirë të trishtimit të zonjës Kodheli edhe gjetkë.
Pikërisht në kohën kur ushtarët pastronin me durim rrugë të Shqipërisë, para piramidës zhvillonte protestën e radhës “Shoqata për Mbrojtjen e Radikës”. Bënte mirë, bënte shumë mirë. Politika duhet të dëgjojë zërin e njerëzve përndryshe bën zullume të pariparueshme jetë e mot. Vetëm se ndonjë pyetje edhe mund të bëhet. Këtu le t’i hapim ca udhë fantazisë. A nuk do të ishte më mirë, më bukur, më domethënëse, më frytdhënëse, nëse protesta të bëhej menjëherë sapo vullnetarët e Radikës të ktheheshin nga puna ku kishin punuar së bashku për pastrimin e vendit? Ndonjë prej tyre mbase është ca jo në moshë të përshtatshme për lopatë, por sidoqoftë një shenjë e vogël solidariteti me nismën e ushtrisë e nuk do ta forconte edhe më bindjen se ata e kanë fort seriozisht atë punën e shpëtimit të lumit? Por mbase kjo është fantazi ca e tepruar, qoftë edhe në një të diel të ngrohtë.
Në të njëjtën ditë bashkë me trishtimin e zonjës Kodheli u raportua edhe lajmi i grabitjes së dy varrezave. Një në Plan të Pukës dhe një tjetër në Patos, me një fjalë në një gjeografi gati gjithëpërfshirëse Veri-Jug. Pyetje mbas pyetjesh mund të arrijmë edhe në këtë: A kanë vërtet kuptim termat idealistë “vullnetarizëm”, “solidaritet”, “bashkëpunim”, “ndihmë reciproke” brenda një populli që plaçkit vetë vdekjen e tij? Pyetje e sikletshme, vërtet e sikletshme.
Marrë nga Shqip