Tritan Shehu: Rotacion ka vetëm
me vota asnjë iluzion për PD-LSI

Tritan Shehu: Rotacion ka vetëm<br />me vota asnjë iluzion për PD-LSI
TIRANE- Ish-kryetari i PD, Tritan Shehu ka komentuar në Facebook mbi largimin e Gjovalin Kadelit nga radhët e PD. Një dukuri të tillë Shehu thekson se e ka paralajmëruar sot në një intervistë që ka dhënë për "Shqiptarja.com".

"Disa minuta me perpara degjova prononcimin e z.Kadeli me te cilin ai deklaroi largimin nga PD dhe bashkimin e tij me LSI. Nqs nuk e keni lexuar akoma postimin tim te mengjesit, ju ftoj ta lexoni. Shkruhet pikerisht per forcimin e PD e identitetit te saj! Kjo qe ndodhi sonte verteton katerciperisht ate qe une shpreh. E them kete jo me kenaqesi!!! Jam i bindur qe mbasi ta lexoni do te me jipni plotesisht te drejte! Pres mendimin tuaj", shkruan Tritan Shehu.

tritan shehu
JA INTERVISTA E TRITAN SHEHUT SOT NË "SHQIPTARJA.COM"
Ish-kryetari i PD dhe anëtar i Këshillit Kombëtar Tritan Shehu deklaron se fitorja e PD do të vijë nga vetë forca e saj dhe nga asnjë kombinim tjetër apo mekanizma iluzivë, për kombinime tavolinash dhe lëvizje votash në Kuvend, përmes ish-aleatit LSI.
 
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, aktualisht anëtar i Këshillit Kombëtar të kësaj partie, Tritan Shehu në një intervistë për fazetën “Shqiptarja.com” është shprehur se demokratët duhet ta mbështesin fitoren e tyre në ballafaqimet elektorale tek forca e PD dhe jo duke pritur dhurata as me mekanizma iluzivë dhe me kombinime tavolinash apo me lëvizje votash në Kuvend. Ai këmbëngul se rotacioni politik do të vijë vetëm atëherë kur shumica e elektoratit shqiptar do ta dojë dhe besojë këtë gjë dhe elektoratin PD duhet ta bindë me punën dhe alternativat e vetë demokratëve. Sipas tij, nëse PD niset me të tilla iluzione për LSI apo dikë tjetër, mund të qëndrojë në opozitë edhe 100 vjet.

Shehu nënvizon faktin se koalicioni me LSI ishte një koalicion i diktuar nga vota e elektoratit shqiptar më 2009 dhe i ndërtuar me mënçuri nga Berisha, ishte një koalicion luajal, i suksesshëm dhe real. Por për të, LSI tani, në të drejtën e saj, është kthyer në familjen e saj natyrale, në të majtën, pasi kjo është demokracia dhe se ky është një kapitull i mbyllur definitivisht për një koalicion tjetër të PD me LSI. Njëherësh ish-kreu i PD, ka vlerësuar Bashën për drejtimin që i ka bërë PD dhe opozitës në këtë periudhë të vështirë për opozitën shqiptare, duke kërkuar gjithashtu që të shfrytëzohet çdo gabim në qeverisje i së majtës, për të krijuar kushtet që shqiptarët të kërkojnë me domosdoshmëri rrotacionin politik.
 
Po kërkohen rrugë të lehta nga opozita për të arritur tek rotacioni politik. Ju si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD si mendoni....?
Une nuk mendoj se po ndodh kështu. Aktualisht PD po bën një luftë politike të qartë për të bllokuar shfaqjet e arbitraritetit të së majtës, në respektim të ligjit e të vendit. Pa dyshim më tej do të eleborohen më me qartësi, hapësirë dhe strategji, ide dhe alternativa të qarta që do t’i transmetohen elektoratit. Jeta opozitare sapo ka filluar, ajo ka nevojë për shumë punë, kapacitete dhe ide. Një gjë duhet të kuptojmë qartë se, rotacioni politik në Shqipëri do të ndodhë vetëm si meritë e forcës së PD, alternativave të saj.

Vetëm atëherë kur PD do të arrijë që me punën e saj, me mesazhet e saj, me alternativat e saj dhe me qartësimin e gabimeve të mëdha që e majta në pushtet po bën dhe do të bëjë, të bindë shumicën e elektoratit shqiptar për domosdoshmërinë e rotacionit politik në Shqipëri. Kjo nuk është e lehtë dhe as e shkurtër në kohë. Kjo kërkon punë, mobilizim të të gjitha aseteve tona, pjesëmarrje, duke shfrytëzuar të gjitha hapësirat e mundësitë e mundshme, dhe padyshim komunikim të qartë dhe transparent me elektoratin shqiptar.
 
Por Berisha ka këshilluar që të mos ketë sulme ndaj Ilir Metës dhe një gjë e tillë po vihet re dhe në qëndrimet e kreut të PD Lulzim Basha, që sulmohet vetëm kryeministri Edi Rama...?
Përsëri ju provokoni. Asnjëherë nuk ka pasur të tilla “këshilla” dhe as veprime të tilla si thoni ju për Bashën. Berisha është një politikan me shumë vlera dhe eksperiencë, pra diçka e tillë nuk mund t’i atribuohet atij. Basha po e drejton mirë PD-në në këto periudha. Duhet të kuptojmë drejt, koalicioni me LSI ishte një koalicion i diktuar nga vota e elektoratit shqiptar më 2009 dhe i ndërtuar me mënçuri nga Berisha. Ai ishte një koalicion luajal, i suksesshëm dhe real. Tashmë LSI, në të drejtën e saj, është kthyer në familjen e saj natyrale, në të majtën. Kjo është demokracia. Pra ky është një kapitull i mbyllur definitivisht. Me këtë nuk them që LSI është “armikja jonë”, po kështu as dhe PS.

Ata janë kundërshtarët tanë politikë me të cilët ballafaqohesh, por dhe bashkëpunon kur e kërkojnë interesat e vendit. Pra  rotacioni politik në Shqipëri nuk mund të vijë duke pritur “dhurata nga hëna” as me mekanizma iluzivë, me kombinime tavolinash apo me lëvizje votash në Kuvend. Ai do të vijë vetëm atëherë kur shumica e elektoratit shqiptar do ta dojë dhe besojë këtë gjë. Dhe elektoratin duhet ta bindim ne me punën dhe alternativat tona. Unë mendoj se nëse nisemi me të tilla iluzione për LSI apo dikë tjetër, ne mund të qëndrojmë në opozitë edhe 100 vjet. Por të jeni të sigurtë se kjo nuk ka për të ndodhur dhe se Partia Demokratike e ka forcën e duhur, energjinë e nevojshme për të bindur elektoratin dhe për të realizuar rotacionin politik në Shqipëri.
 
Pra nuk mendoni se opozita pikërisht tek ndonjë lëvizje e mundshme tavolinash e ka mbështetur shpresën për rikthim të shpejtë në pushtet PD-ja...?
Absolutisht jo. PD është shumë e kthjellët për këtë gjë dhe po realizion një luftë politike aktive. Të jeni të bindur se ajo do të jetë në lartësitë e një opozite të vërtetë demokratike shqiptare. Edhe një herë e përsëris, opozita është një periudhë realisht, disa herë jo e lehtë, por kërkon mobilizim total, ide, kërkon mençuri për të shfrytëzuar edhe gabimet e mëdha që po bën dhe do të bëjë e majta shqiptare. Kërkon të jesh i përgatitur për t’i shfrytëzuar gabimet e kundërshtarit me racionalitet. Vetëm në këtë mënyrë do të arrihet të sensibilizohet opinioni e të bindet për domosdoshëmërinë e rrotacionit politik, që e them me bindje të plotë që s’do të vijë “nga qielli”, siç mund të ketë iluzione dikush. Por do vijë vetëm në sajë të një pune konsistente, të vazhdueshme, shumë të gjërë, të gjithanshme të PD për të pasur dhe fituar besimin e shumicës dërmuese të shqiptarëve.
 
Pra duhet të mbështeteni vetëm tek forca e PD....?
E theksova se rrotacioni në Shqipëri do të ndodhë vetëm atëherë kur ne të jemi në gjendje të bindim shumicën e shqiptarëve për domosdoshmërinë e rrotacionit politik. Jam i bindur se vetëm PD mund ta bëjë këtë gjë. Gjithashtu jam i bindur se ajo është koshiente e këtij roli të vështirë, por të madh që i takon të luajë, në interes të vendit, të pluralizmit tonë dhe të asaj vetë. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe kushtet për këtë gjë, duhet të punojmë me ide të qarta, grupe njerëzish, zgjerim të të gjithë atyre që duhen përfshirë. Pra më shkurt, PD duhet të koncentrohet tek PD. E kaluara tregoi se kur kjo nuk kuptohet drejt, ndodhin gabime me pasoja serioze. Opozita shqiptare do të fitojë apo humbë nga forca e PD dhe vlerat e saj. Forca e PD, vizioni i saj, alternativa e saj janë garancia e fitores së opozitës. Vetëm duke kuptuar e implementuar drejt këtë mund të bëjmë që shumë shpejt të na mbështesin shumica e shqiptarëve. Ndoshta i përsërita disa mendime disa herë, por në të vërtetë më detyruat ju, duke insistuar në atë drejtim.

Shkrimi u publikua sot (30.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit

VIDEOLAJM/ Dita e Pavarësisë, 112-vjetori festohet edhe në Fier! Qytetarët me flamuj kuq e zi paradë në qendër të qytetit