Shpërthimi i tritolit në një automjet në lagjen "29 nëntori" të qytetit të Fierit mbrëmjen e djeshme ka tronditur banorët. Në erë është hedhur një automjet tip "Mercedes Benz" me targa AA 270 IV në momentin kur po dilte nga parkimi, fare pranë qendrës së qytetit.


Drejtuesi i automjetit, Ervin Memo, 38-vjeç, ka arritur të shpëtojë edhe pse shpërthimi ka qenë mjaft i fortë, pasi siç duket edhe nga fotot e siguruara nga "Shqiptarja.com", makina është shkatërruar dhe dëmtimet më të mëdha i ka në krahun e shoferit. 

Dëshmitarë okularë thanë se Memo doli vetë nga "Benz"-i, pavarësisht se në drejtim të automjetit kanë vrapuar menjëherë familjarët e Memos dhe kalimtarë të rastit për t'i dhënë ndihmën e parë. Të afërmit e tij kanë bërtitur me të madhe kur kanë parë se automjeti i u hodh në erë nga shpërthimi. Mendohet se objektivi ka qenë pikërisht 38-vjeçari dhe autorët kanë tentuar ekzekutimin e tij me tritol në automjet. 
fier.jpg" style="height:781px; width:780px" />
I plagosuri Ervin Memo

38-vjeçari është transportuar në Spitalin e Fierit, ku po merr ndihmë mjekësore për plagët e marra në gjymtyrë, por është jashtë rrezikut për jetën. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policia dhe një zjarrfikëse e cila ka neutralizuar flakët pas shpërthimit të "Benzit".

Informacion paraprak

Në datën 21.04.2018, rreth orës 22:55, në vendin e quajtur "Kryqëzimi i Grecallisë" ka shpërthyer mjeti tip "Benz" me drejtues shtetasin E.M, 38 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kohës së shpërthimit mjeti ka qënë i parkuar dhe drejtuesi i tij sapo kishte hipur në mjet.

Paraprakisht dyshohet se mjetit i është vendosur lëndë plasëse eksplozivë.

Drejtuesi i mjetit ndodhet në Spitalin Rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 09:24
Tritoli në Fier, pamje të reja të makinës së shkatërruar, shoferi jashtë rrezikut

Report Tv sjell pamje të reja nga makina që u shkatërrua plotësisht mbrëmjen e djeshme nga shpërthimi me eksploziv, ku mbeti i plagosur drejtuesi Ervin Memo. I plagosuri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa arriti që të dilte vetë nga makina. Ai ka disa plagë në trup, ndërsa grupi me ekspertë nga Tirana ka nisur hetimet. 

Ora 08:24
Atentati në Fier, po hetohet pista e konfliktit për pronat

Policia ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen në Fier. Aktualisht po hetohet në pistën e konflikteve për pronat që dyshohet se ka Memo. I plagosuri Ervin Memo nuk është i martuar, ndërsa është i papunë.

Sipas banorëve është një njeri pa probleme, ndërsa dyshohet se mund të ketë konflikte pronësie.

 Megjithatë pas marrjes në pyetje të Memos për konfliktet e mundshme që  mund të ketë pasur kohët e fundit do të hidhet më shumë dritë për të çuar në gjurmët e autorëve.

Makina ishte parkuar afër banesës, në momentin që Memo është ulur në sedilje ka shpërthyer eksplozivi, dyshohet me telekomandë. Lënda shpërthyese ishte vendosur në krahun e pasagjerit.

Mëngjesin e sotëm kanë mbërritur ekspertë nga Tirana për të hetuar cështjen, ndërsa i plagosuri ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Ora 00:40
I shpëtoi atentatit me tritol, 38-vjeçari ecën në këmbë, duartrokitet/VIDEO

38-vjeçari nga Fieri, Ervin Memo, i shpëtoi atentatit me tritol në makinë mbrëmjen e sotme. Edhe pse shpërthimi ka qenë mjaft i fortë, ai shpëtoi mrekullisht, duke dalë me këmbët e tij nga makina. 

Në pamjet e siguruara nga Shqiptarja.com duket momenti kur Memo ndodhet në automjet me shenja jete, ndërsa dëgjohen britmat e familjarëve të tij të cilët kërkojnë ndihmë. 

Në pak çaste, Ervin Memo del vetë nga makina e shpërthyer dhe ecën në këmbë. Ai duartrokitet nga kalimtarët, ndërsa Memo i përshëndet duke ngritur dorën. 38-vjeçari ndodhet në kujdesin e mjekëve në spitalin e Fierit dhe jashtë rrezikut për jetën.