Një shpërthim i fuqishëm me eksploziv ka ndodhur orët e para të mëngjesit të së martës një kafene në pronësi të një shqiptari, në zonën e Nea Ionias, në Athinë. Ngjarja ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa autoritetet greke janë vënë në kërkim të dy personave të dyshuar si të përfshirë në sulm. 

Sipas mediave greke, shpërthimi ndodhi rreth orës 04:00, kur një mekanizëm eksploziv u vendos në hyrje të lokalit, që ndodhet në rrugën Sinopis. Dyshohet se autori që vendosi lëndën shpërthyese mbante helmetë dhe udhëtonte me një motoçikletë, ku ndodhej edhe një person tjetër.

Momenti i shpërthimit është regjistruar nga kamerat e sigurisë të një biznesi pranë vendngjarjes ku videoja është filmuar nga një farmaci që ndodhet përballë kafenesë dhe tregon momentin e shpërthimit. Fuqia e shpërthimit ishte aq e madhe sa shkaktoi dëme të rënda në fasadën dhe ambientet e brendshme të kafenesë, ndërsa u dëmtuan edhe xhamat e bizneseve përreth. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.

Ngjarja ka tronditur banorët e zonës, të cilët kanë përshkruar për mediat greke zhurmën e fortë dhe fuqinë e shpërthimit.

“Po flasim për një forcë të jashtëzakonshme. Unë kaloj këtu çdo mëngjes me gruan time. Nëse do të kishim qenë aty në atë moment, nuk do të kishim shpëtuar. Shpërthimi mund të na kishte vrarë”, është shprehur një prej banorëve.

Një tjetër banor tregoi se fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një tërmet, për shkak të zhurmës së jashtëzakonshme.

Policia greke po heton për të zbardhur motivet e sulmit dhe për të identifikuar autorët. Një element që po shqyrtohet është edhe fakti se në të njëjtin biznes ishin regjistruar të shtëna me armë zjarri gjatë vitit 2025. Megjithatë, sipas informacioneve të publikuara, në atë kohë lokali kishte një pronar tjetër.

Ndërkohë, kryetari i bashkisë së Nea Ionias, Panagiotis Manouris, ka thënë se ngjarja lidhet me larjen e hesapeve në botën e krimit duke kujtuar edhe një incident të mëparshëm në zonë.

“Ky është një pastrim hesapesh në botën e krimit. Është incidenti i dytë pas kafenesë në Kastamonu”, është shprehur ai.

Në vendngjarje mbërritën forcat zjarrfikëse dhe specialistët e Departamentit për Çaktivizimin e Mekanizmave Eksplozivë. Hetimet vijojnë për të përcaktuar autorësinë dhe motivin e saktë të sulmit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:10
Tritoli në biznesin e shqiptarit në Greqi, dalin pamjet e shpërthimit të fuqishëm (VIDEO)

 

Këto janë pamjet e shpërthimit të fuqishëm me tritol që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës në një kafene në pronësi të një shqiptari, në zonën e Nea Ionia, në Greqi. Videoja është filmuar nga një farmaci që ndodhet përballë kafenesë dhe tregon momentin e shpërthimit.

Në videon e publikuar nga mediat greke shihet momenti kur dy persona të paidentifikuar, të cilët udhëtonin me motor, afrohen pranë lokalit. Ata thyejnë xhamin e dritares me një objekt metalik dhe më pas hedhin brenda një pajisje shpërthyese të improvizuar.

Pak çaste më vonë ndodh shpërthimi i fuqishëm, i cili shkakton dëme të konsiderueshme në kafene, ndërsa vala goditëse thyen edhe xhamat e bizneseve përreth.

Fatmirësisht, në momentin e shpërthimit lokali ishte i mbyllur dhe nuk raportohet për persona të lënduar.