IRAN - Zahra Azadpour, një 27-vjeçare dhe futbolliste në Ligën e Femrave të Teheranit, u vra nga forcat e sigurisë të Republikës Islamike, gjatë protestave në qytetin Karaj, në pjesën perëndimore të kryeqytetit iranian.
Azadpour ishte e njohur për kontributin e saj në ekipin ‘Mehregan Pardis’ të Teheranit, ndërsa më parë kishte luajtur edhe për ekipet ‘Azarakhsh’ dhe ‘Saba’. Ajo gjithashtu ishte pjesë e kampit stërvitor të përfaqësueses së femrave të Iranit.
Sipas gazetares iraniane të sportit, Mojtaba Pourbakhsh, trupi i Azadpour iu dorëzua familjes së saj tre ditë pas vrasjes dhe funerali u mbajt në Islamshahr, ku ajo u rrit.
Për shumë atlete femra në Iran, vetë akti i pjesëmarrjes në sport është një akt rezistence. Atletet duhet të garojnë brenda një kuadri të rreptë rregullash, të karakterizuara nga përdorimi i detyrueshëm i hixhabit në stërvitje dhe ndeshje.
Në të njëjtën kohë, sportet e grave nuk financohen sa duhet. Shumë ekipe nuk kanë infrastrukturë bazë, mbështetje mjekësore dhe paga të qëndrueshme, duke i detyruar atletet të mbulojnë vetë kostot e pjesëmarrjes. Kufizimet në praninë e spektatorëve dhe mbulimi minimal i sporteve të tyre nga media shtetërore i bëjnë ato edhe më “të padukshme”.
Komente




