TROPOJE - Shembja e shtëpisë në të cilën banonte i ka marrë jetën një të moshuare 70 vjeçare në rrethin e Tropojës. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit në fshatin Gri të komunës Bujan.

Burimet nga policia lokale sqaruan se Sabrije Sinanaj ka mbetur nën rrënoja duke mos i shpëtuar dot vdekjes.

Mësohet se e moshuara jetonte me bashkëshortin e saj, por ai ka mundur të largohet në kohë nga banesa duke shpëtuar dhe më pas ka njoftuar uniformat blu.

Zyrtarisht dyshohet se shkak i shembjes së shtëpisë është bërë rrëshqitja e dheut pas shirave të rrëmbyeshëm që vazhdojnë në këtë zonë prej disa ditësh.

(Gre.M/Shqiptarja.com)