Më shumë sesa një ngjarje është një ftesë për bashkëpunim. Atje ku arti bëhet mjet dialogu, ku kultura merr forma të reja dhe ku zëri i brezit të ri tejkalon kufijtë politikë. Në një rajon ku lidhjet kulturore kanë qenë historikisht të natyrshme, projekti “Next Generation” rikthen fokusin pikërisht te ajo që është e përbashkët: energjia krijuese dhe dëshira për të ndërtuar të ardhmen së bashku.
“Është hera e parë që ne si ‘Autostrada Biennale’, por dhe ekipi ynë vjen këtu dhe po e shohim si një mundësi të jashtëzakonshme për të filluar një bashkëpunim edhe më të strukturuar edhe më konkret.”, thotë një nga anëtaret e grupit organizator të Bienales Autostrada, një Ekspozitë Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor që zhvillohet çdo dy vjet në Prizren.
“Kur propozova një koreografi timen, që e bëra në tetor për festivalin kontemporan, mora një ekstrakt dhe e bashkova që t'i shkonte programacionit me vallet popullore që ishin sot. Gjithashtu propozova edhe një pjesë kantata e një koreografi shumë të famshëm italian dhe edhe këtu mora një ekstrakt, një solo dhe një trio dhe besoj që i dha larmi bashkë me vallet popullore. Kishte dashurinë, kishte muzikën, kishte gëzimin, kishte gjithçka.”, thotë koreografi Edi Blloshmi, drejtues artistik i trupës së baletit të TKOB-it.
Zgjedhja e Tropojës për këtë aktivitet nuk ka qenë më kot, pasi është një nga vendet ku marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë gjithmonë organike dhe ku kulturat nuk takohen për herë të parë, por rikthehen tek njëra-tjetra. Programi i dy ditëve përfshiu forume, performanca, ekspozita dhe aktivitete interaktive që bashkojnë disiplinat kryesore kreative: kinematografi, debate, rrëfime dhe bashkëpunime të reja mes krijuesve filmikë. Ndër pjesëmarrësit ishte Oda Haliti, e njohur për ritmin që udhëton mes Tiranës, Prishtinës dhe Berlinit dhe Shpat Deda, kantautori me bazë në Prishtinë që sjell rrëfime intime në tinguj pop, soul, rock dhe jazz.
Pjesë e programit ishin edhe instalacione dhe ndërhyrje vizuale që hapin hapësira të reja interpretimi, ndërsa “food design” solli një qasje e re ndaj shijeve dhe traditave vendase, duke i trajtuar si elementë të kulturës bashkëkohore. Qëllimi i kësaj ngjarjeje është të krijojë një platformë, ku artistët dhe të rinjtë të ndërveprojnë lirshëm, të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë ura të reja.
Komente








