Në vendimin e Këshillit të Ministrave thuhet se pronarët, mes tyre dhe ish-Zonja e Parë, Odeta Nishani do të dëmshpërblehen në vlerën e 70 milionë 960 mijë lekë për truallin me sipërfaqe 5000 metër/katrorë.
Këshilli i Ministrave argumenton se ky vendim është marrë në zbatim të marrëveshjes së lidhur mes Shqipërisë dhe Vatikanit. Sipas vendimit, trualli i kalon fillimisht në pronësi Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, e cila do të duhet të paguajë dhe shpenzimet prej 2 milionë lekësh për procedurat e shpronësimit.
E më pas, po kjo ministri do të jetë ajo që do të kryejë të gjitha procedurat e regjistrimit të kësaj prone në emër të Kishës Katolike Shqiptare. Debati mbi këtë çështje, prej vitesh ka qenë pjesë e skenës politike, ku nuk kanë munguar dhe akuzat ndaj Presidentit Nishani për ndikim të tij në këtë çështje.
Por, duket se qeveria ka gjetur një rrugë të mesme për të shmangur prishjen e Kishës, e gjithashtu për të shpronësuar edhe pronarët . Tri shkallët e gjyqësorit në Shqipëri kanë vendosur në favor të zonjës Nishani, duke shkaktuar reagimin e autoriteteve kishtare. Në mënyrë të vazhdueshme, përfaqësuesit e Kishës i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama për të ndërhyrë në këtë çështje pasi sipas pretendimeve të saj të mëhershme, familja me të cilën përballet gëzonte pushtet. Dhe pak muaj pas vendimit të Gjykatës së lartë, kryeministri duket se ka vendosur të kënaqë të gjitha palët.
Ish-zonja e Parë e Shqipërisë, Odeta Nishani është vajza e Shegushe dhe Ali Kosovës. Babai i saj vjen nga një familje tregtarësh nga Kosova, të vendosur në qytetin e Durrësit në vitin 1905, ndërsa nëna vjen nga familja Karaosmani. Familja e zonjës së parë të Shtetit, ka qenë paditësja e çështjes, duke kërkuar që t’i kthehej prona e kishës “Shën Piut i X”.
Vendimi i qeverise
dy.b/shqiptarja.com










