Trukimet, Arben Laze mallkon bastet
Osmani dhe Pisha: Jemi të pafajshëm

Trukimet, Arben Laze mallkon bastet<br />Osmani dhe Pisha: Jemi të pafajshëm
Nuk ka heqje pikësh, apo përjashtim ekipesh, por vetëm dy ‘koka turku’ nga Komisioni i Etikës në Federatën Shqiptare të Futbollit për ndeshjet e javës së 19-të dhe të tjerave të kampionatit kombëtar që u dyshuan të trukuara. Pas hetimeve Etika vendosi dënimet e Alfred Osmanit dhe Arjan Pishës për fiksim të ndeshjeve me 6 muaj pezullim, teksa për kapitenin e Elbasanit depozitoi edhe një denoncim në prokurori.

Portieri i Teutës, Alfred Osmani u dënua, pasi sipas Etikës u shpall fajtor për komplotim në  influencimin e rezultatit të ndeshjes Flamurtari-Teuta e përfunduar 2-1. Për golin e pësuar nga Teuta në fund është shënjestruar vetëm portieri dhe askush tjetër. Por Etika nuk shkon më tej për të sqaruar se me cilin e trukoi lojtari ndeshjen dhe çfarë përfitoi në këmbim. Ndërsa kallëzim penal nuk ka bërë për Osmanin, pasi sipas Etikës për këtë ka nisur hetimet prokuroria e Vlorës.

Edhe Arjan Pisha pezullohet 6 muaj për komplotim në  influencimin e rezultatit të ndeshjeve Elbasani- Teuta, Elbasani-Skënderbeu dhe Kukësi-Elbasani. Në lidhje me ndeshjen Flamurtari–Teuta u rezervua e drejta për kallëzim penal pasi ceshtja ka filluar nga Prokuroria  e Rrethit Gjyqesor  Vlore. Ndërsa ndeshjet Vllaznia-Kukësi dhe Laci-Partizani, Komisioni i Etikës u heq dyshimet duke i cilësuar të pastra, pasi nuk u shpreh përmes asnjë vendimi të paktën deri tani.

Pisha: “Po i bien samarit, jo gomarit”
Edhe futbollisti elbasanas Arjan Pisha, që u pezullua dhe kallëzua nga Etika ka reaguar për Shqiptarja.com duke i cilësuar si absurde. “Më duket se këta “nuk kanë se çfarë t’i bëjnë gomarit dhe i bien samarit”. Më bënë “kokë turku” padrejtësisht.

Kam një karrierë të gjatë dhe tani ishte duke menduar largimin, por në fund më akuzuan pa asnjë provë, asnjë fakt, asgjë konkrete. Madje nuk më morën një herë në pyetje, por në një ditë të bukur duke gjykuar ndeshje të tjerë, rastësisht më dënuan edhe mua.

Kurrsesi nuk do ta pranoj një gjë të tillë dhe do ta apeloj vendimin. Elbasani kaq i ka mundësitë dhe kaq mund të bëj nuk mund të kërkohen më shumë se çfarë mund të japë. Përsa i përket trukimeve apo aleancave mund të them se futbolli shqiptar është në një nivel shumë të ulët” përfundoi ai.

Osmani: I shqetësuar, kam gruan shtatzënë
Me shumë shqetësim e ka përjetuar vendimin edhe portieri i ekipit të Teutës, Alfred Osmani. “Jam shumë i mërzitur nga vendimi që është dhënë. Ne karrierën time 12 vjeçare as nuk e kam menduar e jo ta bëj një gjë të tillë. Kur them i mërzitur kam parasysh lotët e nënës sime, dhe shqetësim e bashkëshortes shtatzënë” shprehet për Shqiptarja.com ai.

Osmani u ‘kryqëzua’ për ndeshjen me ekipin e Flamurtarit në Vlorë në javën e 19-të, pasi në golin e dytë të pësuar nga Shehaj sjella e tij u cilësua si pasive duke shtyrë Komisionin e Etikës në FSHF që ta pezullonte me 6 muaj. Për ndeshjen ka nisur hetimet edhe prokuroria e Vlorës, ndërsa deri tani nuk ka asgjë të dhënë nëse ka pasur apo jo trukimve dhe shkelje të ligjeve në fuqi për manipulim, pasi nga ana sportive Etika vendosi.
 
Arben Laze: Kush dreqin  shpiku bastet
Presidenti i Elbasanit në një intervistë për Shqiptarja.com ka mohuar kategorikisht akuzat e ngritura. “Jam i indinjuar nga vendimi i Komisionit të Etikës. Nuk e di se në çfarë faktesh janë bazuar personat që kanë dënuar Arjan Pishën.

Të quash trukime rrëshqitjet në fushë më duket absurde. Nuk e di kush dreqin i shpiku këto bastet, të cilat po dëmtojnë imazhin më shumë se kurrë si ekipit ashtu edhe lojtarit. Megjithatë ne nuk do të rrimë duarkryq, por do të kërkojmë që vendimi dhe akuzat të anulohen, pasi nuk janë aspak të vërteta.

Elbasani është duke dhënë maksimumin në fushë dhe mund të them se nëse nuk do të kishim fituar ndeshjen e fundit me Teutën, kampionati do ishte kthyer në dallavere duke humbur kuptimin. Unë garantoj se deri në ndeshjen e fundit nuk do të ketë lëshime nga Elbasani” deklaroi ai.
 

  • Sondazhi i ditës:

    Krijohet dhe 'Djathtas', a do i mbështesni partitë e reja në 2025?



×

Lajmi i fundit

SHBA/ Tjetër atentat i dështuar ndaj Donald Trump? Policia kap një person të armatosur 1 km larg vendit të mitingut të ish-presidentit, në Kaliforni

SHBA/ Tjetër atentat i dështuar ndaj Donald Trump? Policia kap një person të armatosur 1 km larg vendit të mitingut të ish-presidentit, në Kaliforni