Trukimet, Skënderbeut i hiqet
titulli, gjobë dhe zbritje pikësh

Trukimet, Skënderbeut i hiqet<br />titulli, gjobë dhe zbritje pikësh
Zyrtarisht ekipi i Skënderbeut shpallet fajtor për trukimin e disa ndeshjeve dhe i hiqet titulli kampion për edicionin e kaluar, ndërsa këtë edicion i zbriten 12 pikë në renditje.
 
Komisioni i Etikës në FSHF pas disa muajsh hetime ka vendosur që përpos heqjes së titullit edicionin e kaluar dhe zbritjes së pikëve këtë edicion, Skënderbeu të dënohet edhe me 2 mln lekë gjobë.
 
Skënderbeu me heqjen e 12 pikëve këtë edicion nuk rrezikon zbritjen nga Kategoria, por as pjesëmarrjen në Europë duke i shpëtuar një ndëshkimi më të rëndë, që mund ta zbriste nga Superiorja.
 
Pas zbritjes së 12 pikëve, Skënderbeu e mbyll sezonin në kuotën e 60 pikëve, duke mos e rrezikuar vendin e tretë në klasifikim, pasi Luftëtari i vendit të katërt ka 44 pikë.

Kështu Skënderbeu do të luajë në Europa League përballë ekipit nga Andora. Skënderbeu u dënua, pasi akuzohet nga Komisioni i Etikës në FSHF për trukimin e disa ndeshjeve brenda vendit, por edhe në Europë.
 
Partizani shpallet zyrtarisht kampion
Me vendim e sotëm të Etikës, Partizani është zyrtarisht kampion i Shqipërisë për edicionin e kaluar.
 
Edicioni 2015-16 ishte mjaft i luftuar mes dy ekipeve brenda fushe, por edhe jashtë tij me deklarata të forta nga ekipi i Partizanit për trukim.
 
Vendimi për heqjen e titullit vetëm sa u zyrtarizua sot nga FSHF, pasi fakti që UEFA e përjashtoi edicionin e kaluar nga Champions League ishte e qartë që nuk e njihnin si kampion të Shqipërisë.

Partizanin e zëvendësoi Skënderbeu edicionin e kaluar, ndërsa me vendimin e sotëm marrin edhe trofeun.

FSHF-së i është dashur më shumë se një vit kohë për të analizuar raportet e dërguara nga UEFA për ta shpallur fajtor ekipin e Skënderbeut.

Drejtori i Partizanit: Të pastrohet kampionati nga trukimet
Në një lidhje telefonike për Report Tv, drejtori i ekipit të Partizanit, Genc Tomorri shprehet se me vendimin e sotëm të FSHF, ekipi i kuq është edhe zyrtarisht kampion, pavarësisht se UEFA e kishte njohur që edicionin e kaluar, pasi zëvendësoi Skënderbeun në Champions League.
 
Kjo ka qenë që vjet që morëm pjesë në Champions League, tregonte se UEFA na njihte si kampion, kjo ishte masë e FSHF.
 
Vendimi pa dyshim është detyrë e FSHF për të dhënë masa të tjera. Bashkëpunimi mes UEFA dhe FSHF duhet të jetë, pasi UEFA na njohu kampion, sot e bëri edhe FSHF.
 
Kjo është gjë e mirë, për të pastruar futbollin shqiptar. Të gjitha ekipet duhet të mendohen mirë tani, pasi do të ketë drejtësi për të marrë atë që i takon.
 
Ky është rasti i parë si nga UEFA dhe FSHF, pasi kampionati duhet të jetë i pastër, për të mos pasur më kontestime, secili duhet të marrë atë që i takon
” tha ai. 

FSHF i hoqi titullin, Skënderbeu: Vendimin e ankimojmë në CAS
​Klubi i Futbollit "Skënderbeu" reagon ashpër kundër vendimit të Komisionit të Etikës në FSHF, që i hoqi atyre titullin kampion të vitit të klauar. 

Zyrtarët e Skënderbeut paralajmërojnë ankimimin e këtij vendimi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS). Në deklaratën e shpërndarë për mediat, ata theksojnë se dënimi është bërë pa prova.

Deklarata e klubit të Skënderbeut:
Klubi i Futbollit 'Skënderbeu' bën me dije tifozërine Korçare dhe opinionin sportiv se, menjëherë pas vendimmarrjes së Komisionit të Etikës të FSHF, është kërkuar zyrtarisht argumentimi i vendimit, si hapi proçedurial paraprak për ankimimin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS-TAS).

Vendimi i ditës së sotme nga ky pseudo-organ juridik është një akt i papreçedent, i denjë për katedrat e universiteteve të drejtësisë. Vetëm një organ i FSHF mund të transformonte një vendim administrativ në një vendim disiplinor, pa pasur qoftë edhe një provë të vetme të drejtpërdrejtë apo indirekte mbi të akuzuarin. Vetëm një organ i FSHF mund të proçedonte ndaj një subjekti pa i komunikuar atij akuzën, provat mbi te cilat ajo mbështetej apo subjektin akuzues. Vetëm Komisioni i Etikës i Federates Shqiptare të Krimit në Sportin e Futbollit mund të jepte një vendim ku vërtetësia e fakteve nuk ka asnjë relevancë. 

Klubi i Futbollit 'Skënderbeu' siguron tifozërinë Korçare se ky cënim dhe kërcënim që na është bërë sot nga ana e Komisionit të Etikes, veçanerisht me heqjen e një titulli kampion të cilën vetë UEFA e ka konsideruar mëse të merituar, do të ankimohet në çdo gërmë të tij, pasi jemi të sigurt në pafajësinë tonë të pakundërshtueshme. 

Falenderojmë sportdashësit dhe komunitetin të cilin e kemi përfaqësuar dënjësisht gjatë kësaj dekade për mbështetjen dhe solidaritetin e treguar. Të sigurt, vazhdojmë përpara për të rishkruar çdo vit historinë e futbollit Shqiptar!


  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se protestat mund ta forcojnë pozicion politik të PD-së?



×

Lajmi i fundit

Rusia: Ballafaqimi me Perëndimin është i pashembullt në histori

Rusia: Ballafaqimi me Perëndimin është i pashembullt në histori