Donald Trump ka pasur gjithmonë një dobësi për avionët. Jo vetëm si mjete pushteti dhe përfaqësimi, por edhe si objekte për t'u admiruar, koleksionuar dhe ekspozuar. Një pasion që i ngjan shumë mënyrës se si një fëmijë lidhet me lodrat e tij. Kur në maj të vitit 2025 Katari bëri të ditur se synonte t'u dhuronte Shteteve të Bashkuara një Boeing 747, i destinuar të shërbente përkohësisht si Air Force One i ri, presidenti e priti lajmin me entuziazëm. Avioni, një mjet gjigant me vlerë rreth 400 milionë dollarë, ishte menduar të mbushte boshllëkun deri në dorëzimin e avionëve të rinj presidencialë të prodhuar nga Boeing, ndërsa Trump hipi për herë të parë në të më 1 korrik të këtij viti.

Ai avion, me hapësirat e tij të mëdha dhe imazhin e prestigjit që përcjell, dukej se i përshtatej në mënyrë të përkryer shijes së Trumpit: një kombinim teknologjie, madhështie dhe ekspozimi publik. Por vendimi për të përdorur një avion të dhuruar nga një shtet i huaj hapi një përplasje politike në Uashington, ku demokratët ngritën dyshime për sigurinë dhe përshtatshmërinë e këtij veprimi.

Debati për Air Force One-in e ri nuk u kufizua vetëm te polemikat mbi pranimin e një avioni të dhuruar nga Katari. Madje, dje republikanët bllokuan një projektligj të propozuar nga demokratët, i cili do ta ndalonte Departamentin e Mbrojtjes të akordonte fonde shtesë për punimet e rikonfigurimit të Boeing-ut të marrë nga Doha. Ky vendim është në përputhje me planin e administratës Trump për ta shndërruar avionin luksoz në një Air Force One plotësisht funksional.

Pas kësaj beteje politike qëndron edhe një aspekt më personal: marrëdhënia e Trumpit me botën e aviacionit. Një interes që me kalimin e viteve është bërë pjesë e imazhit të tij publik, duke nisur nga pasioni për Boeing-un e tij privat 757, i njohur si Trump Force One, e deri te kujdesi për detajet e Air Force One-it të ri, si edhe ndërtimi i një heliporti prej guri për uljet e helikopterit presidencial Marine One.

Këtë anë të presidentit e konfirmuan edhe fotografitë e publikuara në Instagram nga Dan Scavino, zëvendësshef i stafit të Shtëpisë së Bardhë, ku shfaqen disa modele avionësh të vendosur me krenari në raftet e Zyrës Ovale. Një flotë e vogël në miniaturë, për të cilën Trump duket se është shumë krenar.

Megjithatë, jo të gjithë e vlerësojnë shijen e "The Donald". Ashtu siç ndodhi edhe pas ridizenjimit të Zyrës Ovale në fillim të mandatit të tij të dytë – me ar të vendosur kudo, madje edhe në telekomandë – edhe këtë herë presidenti amerikan është akuzuar se e ka tepruar.

Gazeta The Daily Beast e përshkroi ambientin si një lloj "muzeu të modeleve të avionëve me shije të keqe", duke akuzuar Trumpin se ka shndërruar një nga vendet më solemne të politikës amerikane në një vitrinë të pasioneve të tij personale, të cilat i konsideron të diskutueshme.

Sipas medias, këta avionë në miniaturë janë një tjetër shembull i stilit të Trumpit: një përzierje luksi të ekspozuar, simbolesh pushteti dhe vëmendjeje të vazhdueshme ndaj imazhit të tij personal, e shoqëruar me një dozë të madhe egocentrizmi.