Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky takohen në Nju Jork, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me luftën në Ukrainë dhe përpjekjet për një marrëveshje paqeje në qendër të bisedimeve.

Takimi zgjati rreth 40 minuta dhe në fokus ishte synimi i përbashkët për t’i dhënë fund luftës përpara dimrit.

“Presidenti dhe unë po përpiqemi të gjejmë një zgjidhje. Dhe unë mendoj se kjo do të ndodhë. Vërtet e besoj se do të ndodhë”, tha Trump.

Zelensky tha se Ukraina dëshiron që lufta të përfundojë sa më shpejt. madje përpjekjeve u vendosi edhe një target kohor.

“Shpresoj që ta përfundojmë këtë luftë dhe presidenti Trump do të na ndihmojë ta përfundojmë. Mendoj se duhet ta bëjmë sa më shpejt të jetë e mundur, përpara dimrit”, tha Zelensky.

Palët diskutuan një armëpushim të mundshëm që do të ndalonte sulmet ndaj infrastrukturës energjetike. Zelensky tha pas takimit se Kievi është gati për çdo format të një armëpushimi të tillë, por mohoi se Trump i kishte kërkuar Ukrainës të ndalonte në mënyrë të njëanshme sulmet ndaj rafinerive ruse.

Sipas Zelenskyt, logjika duhet të jetë reciproke: nëse Rusia ndalon goditjet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase, edhe Kievi do të bëjë të njëjtën gjë.

Zelensky tha se të dyja palët po punojnë për nisjen e prodhimit të interceptorëve Patriot në territorin ukrainas. Në tryezë ishte edhe ideja e një takimi të drejtpërdrejtë mes Zelenskyt dhe Vladimir Putinit për të cilën shefi i Kievit deklaroi më pas se është gati të marrë pjesë në një takim trepalësh me Trumpin dhe presidentin rus.

Në takim morën pjesë edhe negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

Takimi mes të dyve ndodhi në një moment kur Uashingtoni po përpiqet të rifillojë shtysën diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ndërsa Kievi kërkon garanci konkrete për sigurinë dhe mbështetje për të përballuar dimrin.