Presidenti amerikan Donald Trump i ka bërë kërkesë zyrtare edhe Selisë së Shenjtë në Vatikan që të bëhet pjesë e Bordit të Paqes për rindërtimin e Gazës dhe zonave të tjera të botës. Lajmi u bë i ditur nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin.

“Më duket se e lexova diku që edhe Italia po reflekton mbi këtë çështje. Edhe ne e kemi marrë këtë ftesë. Papa e ka marrë dhe po shohim se çfarë do të bëjmë. Besoj se është një çështje që kërkon pak kohë për tu marrë në konsideratë dhe për t’u dhënë një përgjigje” tha Parolin në një eveniment të organizuar nga Observatori për Mendimin e Pavarur në Romë.

Megjithatë, Parolin nënvizoi se Vatikani nuk është në gjendje të kontribuojë ekonomikisht për Bordin e Paqes për Gazën.

“Ne nuk marrim pjesë nga pikëpamja ekonomike, as nuk jemi në gjendje ta bëjmë”, tha Parolin. “Sigurisht, pikërisht për këtë pikë nuk do të dija ç’të përgjigjesha, por qartazi ndodhemi në një situatë të ndryshme nga vendet e tjera, ndaj edhe vlerësimi do të jetë ndryshe. Por unë besoj se kërkesa nuk do të jetë që të marrim pjesë ekonomikisht, sepse nuk jemi në gjendje ta bëjmë”.

Në lidhje me tensionet mes SHBA-ve dhe Europës, Parolin tha se po krijohet një klimë që përkeqëson situatën në nivel global dhe se “është e rëndësishme që të zbuten tensionet nëpërmjet diskutimeve dhe jo polemikave.”

Nga Davosi, Trump tha sot se “e do shumë Europën, por nuk i pëlqen drejtimi që ajo ka marrë.”

Por Parolin mendon se Trump para së gjithash duhet të respektojë të drejtën ndërkombëtare.

“E çfarë mund të them unë për këtë? Është këndvështrimi i tij: mjafton të respektohet e drejta ndërkombëtare, mendoj se kjo është e rëndësishmja, përtej ndjenjave personale që janë të ligjshme. Të respektohen rregullat e bashkësisë ndërkombëtare” u përgjigj Parolin.

Pjesë e Bordit të Paqes për Gazën do të jetë edhe Shqipëria dhe Kosova si shtete anëtare themeluese. Aderimi i vendit tonë në këtë Bord u miratua të mërkurën nga Këshilli i Ministrave ndërsa kuvendi pritet ta ratifikojë atë në seancën plenare të së enjtes.