Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha priti sot në Tiranë Gjeneral Major Jasper Jeffers, Komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën.

Në një postim në rrjetin social ‘X’, Hoxha theksoi se "diskutuam rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në ISF, që shndërron në kontribut real në terren, një prej komponentëve kryesorë të politikës sonë të jashtme: avancimin e paqes dhe sigurisë dhe gatishmërinë për të kontribuar aty ku përpjekjet ndërkombëtare mund të bëjnë një ndryshim."

Ministri nënvizon se si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, Shqipëria është e vendosur të luajë rolin e saj përkrah Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në mbështetjen e përpjekjeve për të krijuar kushtet për siguri, stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

"Pjesëmarrja jonë në ISF pasqyron gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar konkretisht në një iniciativë që synon ruajtjen e sigurisë dhe dinjitetit të popullit të Gazës, lehtësimin e ndihmës humanitare dhe rindërtimin, dhe ndihmën në krijimin e kushteve për një horizont politik të besueshëm dhe të qëndrueshëm për një jetë më të mirë për të gjithë", tha Hoxha.

Ministri shtoi se "Shqipëria ka demonstruar vazhdimisht angazhimin e saj për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, përmes NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe misioneve të tjera ndërkombëtare."

"Kontributi ynë në ISF është një vazhdim i natyrshëm i këtij angazhimi dhe i besimit tonë se vendet, pavarësisht nga madhësia e tyre, mund të japin kontribute domethënëse në adresimin e sfidave të kohës sonë. Ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, për paqen, sigurinë dhe një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit", deklaroi Hoxha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:21
Ministri Nufi pret në takim Komandantin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën: Thellojmë bashkëpunimin me SHBA në fushën e mbrojtjes së sigurisë

1788877356_sfhytyy.JPG

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi ka mikpritur në një takim në Tiranë Komandantin e Komëndës Qendrore të Operacioneve Speciale të SHBA-ë, Gjeneral Major Jasper Jeffers, i cili shërben gjithashtu si komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza.

Gjatë takimit u vlerësua rëndësia e partneritetit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Të dyja palët theksuan rëndësinë e partneritetit strategjik Shqipëri–SHBA dhe të angazhimit të përbashkët në NATO, si dhe rolin e bashkëpunimit të ngushtë në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe kontributin për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

“Shqipëria mbetet e vendosur për të thelluar më tej bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara dhe për të dhënë kontributin e saj në misione të përbashkëta ndërkombëtare, forcimin e Aleancës dhe të sigurisë së përbashkët”, tha mes të tjerash Nufi gjatë takimit.

Gjeneral Major Jasper Jeffers u takua më herët edhe me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.