Ka një pasazh shumë të çuditshëm në fjalimin që Donald Trump mbajti në Davos rreth dhjetë ditë më parë, që prek edhe vendin tonë fqinj, Italinë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara tregoi përmbajtjen e një telefonate të tij (të supozuar) me Emmanuel Macron, duke e imituar kolegun francez në mënyrë groteske. Macron e ka mohuar se kjo bisedë ka ndodhur, por gjithsesi, ajo që Trump tha në atë moment prek çdokënd në Itali dhe në Europë: si qytetarë, si taksapagues dhe si përdorues të sistemeve publike shëndetësore.
Gjithçka ndodhi brenda pak minutash të fjalimit të tij, të kushtuara sektorit të barnave, kostos së tyre dhe disponueshmërisë. Prej andej Federico Fubini nxjerr disa përfundime.
Trump është kthyer në një mekanizëm kolosal për të shkarkuar kontradiktat e brendshme të sistemit amerikan mbi pjesën tjetër të botës, sidomos mbi Europën. Kjo bën që kostoja e sovranitetit për çdo vend europian të jetë e destinuar të rritet dhe kjo vlen edhe për aksesin ndaj kurave që shpëtojnë jetë. Disponueshmëria e barnave inovative sot në Itali është shumë e mirë dhe me kosto të pranueshme për Sistemin Shëndetësor Kombëtar, por transformimi që Trump po nxit vë në dyshim të dyja këto aspekte.
Zhurma e sfondit e trumpizmit mbetet aq shurdhuese, sa që pjesë të mesazhit ndonjëherë humbasin. Për industrinë farmaceutike kjo është e kuptueshme: pasi prej muajsh ka nisur një hetim sektorial që mund të çojë në tarifa shumë të larta, Shtëpia e Bardhë nuk e ka përfunduar kurrë atë dhe sot kufizohet vetëm në aplikimin e tarifave të përgjithshme 15% për barnat nën patentë. Por pasojat e lëvizjeve të Trump janë gjithsesi gati të ndikojnë në mënyrën se si kurohen italianët dhe europianët.
Sulmi ndaj Macron
Gjatë një momenti në Davos, Trump doli nga fjalimi i përgatitur nga shkrimtarët e tij dhe nisi një monolog që tingëllonte delirant. “Tani do të paguajmë një nga çmimet (të barnave, shën. red.) më të ulëta në botë. Çmimet tona të barnave do të bien me 90%, por mund të thuhet edhe me një mijë ose dy mijë për qind. Dhe sinqerisht, pa tarifat nuk do të kisha mundur ta arrija këtë”, tha ai.
Më pas sulmoi Macronin: “Në thelb, Amerika subvenciononte çdo vend të botës. Kështu që e mora në telefon Emmanuelin, me ato syzet e bukura të diellit. Franca është vetëm një shembull – saktësoi Trump –. I thashë: do të duhet t’i rrisësh pak çmimet e barnave, sepse ne po paguajmë katërmbëdhjetë herë më shumë se ju. Dhe ai: ‘Jo, jo, jo, nuk mund ta bëj, zotëri President, të lutem’ – vazhdoi Trump, duke bërë zërin e kolegut nga Parisi –. I thashë: ‘Po, do ta bësh. Dhe do të të pëlqejë. Nëse deri të hënën nuk ke pranuar çdo gjë që duam, do të vendos tarifa 25% për gjithçka që vjen nga Franca’. Është për sigurinë mjekësore kombëtare. Dhe atëherë Macron më tha – përfundoi tycooni –: ‘Më pëlqen t’i rris barnat me recetë me 200%, por mos ia thuaj popullsisë sime, të lutem, po të përgjërohem’. Çdo vend më ka thënë të njëjtën gjë”.
Çfarë ka pas një monologu kaq të çakorduar? Në Francë, ku kostoja e barnave për momentin mbetet e njëjtë, asgjë.
Investime ose tarifa
Por ardhja e administratës aktuale amerikane po nxit transformime të thella në të gjithë sektorin në shkallë botërore. Para së gjithash, sipas faqes së Shtëpisë së Bardhë, njëzet e dy kompani të mëdha të sektorit janë angazhuar tashmë të investojnë gjithsej rreth 370 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara në prodhim, kërkim dhe zhvillim, për të shmangur trajtime diskriminuese në tarifa dhe kushte të tjera. Asnjë prej tyre nuk është italiane (një është gjermane, një britanike, një zvicerane), por në Itali sektori vlen mbi 60 miliardë euro xhiro, rritet shumë falë kapacitetit të tij të fortë prodhues dhe kjo lëvizje amerikane me gjasë po u heq tashmë investime të huaja direkte vendeve të tjera, përfshirë edhe tonin.
“Kombi më i favorizuar”
Por një vendim i dytë i Trump, nga maji i kaluar, bën një diferencë edhe më të madhe dhe shpjegon shpërthimin e tij në Davos. Shtëpia e Bardhë po u kërkon kompanive farmaceutike të shesin në Amerikë barnat nën patentë, shpesh më inovativet dhe më efektivet, me çmimin më të ulët që të njëjtat kompani aplikojnë në vende me të ardhura për frymë të krahasueshme.
Si referencë, administrata shikon listat e çmimeve të Italisë, Australisë, Austrisë, Belgjikës, Holandës, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Spanjës, Suedisë, Zvicrës, Japonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Dhe meqë ndër këta vende Italia blen shpesh barna kundër kancerit, diabetit apo sëmundje të tjera, me çmime ndër më të ulëtat, pikërisht Italia bëhet treguesi përcaktues.
Narrativa trumpiane bazohet në viktimizmin e zakonshëm agresiv: aleatët përfitojnë nga Amerika dhe i shkarkojnë mbi të kostot e shëndetit të qytetarëve të tyre; përktheni në sektorin mjekësor atë që Trump përsërit prej vitesh për mbrojtjen dhe do ta kuptoni. Në imagjinatën e tij, europianët janë shfrytëzues të Amerikës, por ai do ta hakmerret për kombin e tij, do ta bëjë “të madhërishëm sërish” dhe do të na detyrojë më në fund të paguajmë sa duhet.
Europianët janë përfitues, sepse kompanitë farmaceutike i shesin produktet e tyre inovative shumë më shtrenjtë në Shtetet e Bashkuara dhe kështu krijojnë arkën për të zhvilluar barna të tjera që më pas ne i blejmë me kostot tona më të ulëta. Në thelb, pacientët amerikanë do të subvenciononin kurat e europianëve, duke paguar të vetëm për të gjithë kërkimin laboratorik nga i cili përfitojmë edhe ne.
Për këtë arsye, tani Trump imponon klauzolën e “kombit më të favorizuar”: ata që blejnë barna në Amerikë duhet të trajtohen si vendet e përparuara që për to marrin çmimet më të mira në botë.
Kjo do të thotë se, për të gjeneruar fonde për kërkim dhe zhvillim, grupe të mëdha si Pfizer apo Eli Lilly nga SHBA, Novo Nordisk nga Danimarka, AstraZeneca nga Britania, do të duhet të kompensojnë duke rritur çmimet në Europë, pasi i ulin ato në Shtetet e Bashkuara për t’i përafruar me listat më të ulëta të Kontinentit të Vjetër. Si alternativë, të njëjtat kompani mund të refuzojnë furnizimin me disa barna strategjike për disa vende europiane, në mënyrë që këto të fundit të mos bëhen referencë edhe për tregun amerikan.
Dhe nuk ka asnjë dyshim se, nëse do të duhej të zgjidhnin, prodhuesit do të hiqnin dorë menjëherë nga furnizimi i Italisë, Francës dhe madje edhe Gjermanisë, dhe do të mbanin Amerikën. Atje tregu i barnave vlen 660 miliardë dollarë në vit; në të gjithë kontinentin europian (përfshirë Rusinë), gjysmën.
A rrezikon pra Italia të mbetet pa disa barna themelore në spitalet e saj?
E dashur Amerikë
Në një pikë Trump ka të drejtë: barnat në vendin e tij kushtojnë shumë më shtrenjtë se në Itali. Të dhënat e Corriere della Sera të marra nga OECD-ja e Parisit, tregojnë një pabarazi të thellë në shpenzimet në farmaci dhe jo ato spitalore.
Për shembull, çmimi i medikamentit Relugolix, shumë i përdorur për kancerin e prostatës, në Shtetet e Bashkuara rezulton rreth njëmbëdhjetë herë më i lartë se në Gjermani dhe në Mbretërinë e Bashkuar. Kostoja vjetore e Keytruda-s, një imunoterapi prej rreth 200 mijë dollarësh në vit në Amerikë, është katër herë më e ulët në vendet e tjera të përparuara. Dhe në përgjithësi, vetëm për kurat onkologjike, shpenzimi për frymë i produkteve nën patentë në SHBA është 38% më i lartë se në Gjermani, 80% më i lartë se në Francë dhe 122% më i lartë se në Britaninë e Madhe.
Problemi i vetëm është se ideja e supozuar se europianët po përfitojnë nga amerikanët nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Arsyeja themelore është mbizotërimi, në Shtetet e Bashkuara, i interesave të veçanta mbi një interes kolektiv themelor si shëndeti; me fjalë të tjera, është kapja e politikës nga paratë që shtrembëron lart kostot e barnave në Amerikë. Zemërimi trumpian ndaj pjesës tjetër të botës thjesht po i shkarkon jashtë pasojat e shtrembërimeve të vetë sistemit të tij.
Modeli ( i virtytshëm) europian
Nuk mund të besoj se edhe vetë manjati nuk e kupton këtë, sepse është e dukshme. Në Europë dhe në Japoni, blerjet e barnave spitalore kryhen në mënyrë të centralizuar nga ente publike dhe gjysmë-publike (për shembull, Agjencia Italiane e Barnave), të cilat arrijnë të marrin kushte më të mira duke qenë blerës të vetëm për mijëra spitale dhe miliona njerëz.
Për më tepër, agjencitë europiane kryejnë një vlerësim rigoroz të çdo produkti të ri për shëndetin (“Health Technology Assessment”), që i çon ato të vendosin nëse një çmim i caktuar është i pranueshëm dhe nëse ia vlen të mbështetet për të bërë të disponueshme një terapi të caktuar. Rezultatet janë të mira: në Itali ose në Gjermani janë shpërndarë tashmë pothuajse të gjitha barnat e reja të miratuara në Europë vitet e fundit.
Kapja e parave
Në Shtetet e Bashkuara, kjo nuk funksionon kështu. Nuk ka blerës të centralizuar, as vlerësime ndikimi për barnat me patentë të re. Çmimi i listës nuk lidhet kurrë, si në Europë, me vlerën klinike të shtuar të provuar nga studimet. Në teori gjithçka bëhet në emër të lirisë së tregut, por në thelb pushteti për të vendosur çmimin është fort i anuar në favor të kompanive prodhuese.
Deri në vitin 2022, madje edhe programit publik Medicare i ishte ndaluar të negocionte blerjen e barnave për dhjetëra miliona të moshuar të regjistruar (ndërhyri Joe Biden, sot i sulmuar, për të ndryshuar të paktën këtë absurditet). Në vend të kësaj ekziston një rrjet i ndërlikuar dhe i errët ndërmjetësish mes kompanive prodhuese dhe farmacive ose spitaleve (të ashtuquajturit “Pharmacy Benefit Managers”), të cilët arrijnë të sigurojnë zbritje nga listat, por i mbajnë marzhet për veten dhe për sigurimet shëndetësore.
Një faqe interneti e lançuar nga Shtëpia e Bardhë për t’u lejuar spitaleve të blejnë barna duke anashkaluar ndërmjetësit dhe kostot e tyre shtesë, për momentin nuk po arrin të funksionojë.
Arsyeja pse Amerika vazhdon me këtë sistem jofunksional është e qartë: kompanitë farmaceutike, ndërmjetësit, sigurimet dhe fondet e private equity që investojnë në to financojnë masivisht kandidatët për Kongres nga të dy partitë në çdo zgjedhje. Është një formë korrupsioni sistemik dhe të legalizuar që ndihmon të shpjegohet pse në Shtetet e Bashkuara vdekshmëria për shkaqe të trajtueshme është më e lartë se në Kosta Rikë dhe në nivel me Perunë. Edhe pse tani Trump përpiqet të shkarkojë, me armiqësi, këto kontradikta ekonomike, sociale dhe politike të vendit të tij mbi shpatullat e europianëve.
Nuk do të ndalet, sepse kjo është shenja e kohës sonë. Për këtë arsye, Italia duhet të mësojë të ndërtojë gjithnjë e më shumë një sovranitet europian që investon në kërkim dhe zhvillim të produkteve që shpëtojnë jetë në këtë pjesë të botës, pa pasur nevojë të varet nga të tjerët. Përndryshe, rreziku për t’u nënshtruar gjithmonë e më shumë shantazheve, kushteve të pafavorshme ose refuzimeve për të ndarë inovacionin do të mbetet gjithmonë i pranishëm. Dhe Federico Fubini nuk beson se europianët do të donim ta merrnin këtë rrezik./Përshtatur nga CorrieredellaSera
Komente










